Vetone Kosova Veliu: Gruaja që ndërtoi ura mes komuniteteve dhe mbrojti arsimin në kohë sfidash

Cikli i emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” po pasurohet vazhdimisht nga rrëfimet e grave të zonja nga Mitrovica, të cilat kanë dhënë kontribut të pashlyeshëm për shoqërinë. Në emisionin e radhës, e ftuar ka qenë aktivistja e shoqërisë civile dhe ish-mësimdhënësja, Vetone Kosova Veliu, kontributi i së cilës flet zëshëm.
Rrëfimin e saj, Vetone Kosova Veliu e nisi duke treguar për angazhimin e saj në shoqërinë civile.
“Në shoqërinë civile jam e angazhuar në mënyrë aktive që nga viti ’99. Kam filluar me organizatën e grave “Motrat Qiriazi”, aty kam punuar rreth dy vjet e gjysmë. Pastaj kam kaluar në organizatën “Community Building Mitrovica”, ku kam punuar 17 vjet, e tani, prej vitit 2012, në fakt, udhëheq organizatën e grave “Mitrovica Women Association for Human Rights””tha ajo.
Vetone Kosova Veliu tha se organizata ku ajo është e angazhuar është një organizatë multietnike, shqiptare, serbe, boshnjake dhe ashkalike dhe qëllimi i saj është të promovojë paqen ndëretnike.
“Së pari kemi krijuar marrëdhënie ndëretnike mes stafit, që pastaj këtë ta transmetojmë te komuniteti i Mitrovicës. Jemi shumë të fokusuara në vendimmarrje dhe në proceset e paqebërjes. Aktivitet i rëndësishëm i organizatës është edhe avokimi”, tregoi tutje ajo.
Më tej, Kosova Veliu tha se gratë, ndryshe nga burrat, janë më të gatshme për të krijuar një komunikim të mirëfilltë mes vete, përkatësisht mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Fatmirësisht, kjo është e mira, që shqiptarët dinë të akomodohen lehtë në shoqëri. Kemi qenë prej organizatave të para që kemi qenë të themeluara si staf i përzier. Në fillim kemi punuar ndaras, shqiptarët në jug e serbët në veri. Pas dy vjetësh, diku, jemi bërë bashkë me një zyrë”, tha ndër të tjera ajo.
Vetone Kosova Veliu, në vazhdim, tregoi edhe se si në vitin 2013, kur komunat veriore morën pjesë për herë të parë në zgjedhje, ato kanë bërë fushata dhe i kanë mbështetur gratë.
“Kemi bërë fushatën “Voto gruan” në veri. Kemi bërë organizime dhe fushata të ndryshme për gratë. Në veri, takime të shumta janë organizuar në sallone të floktarisë, sepse nuk ka qenë e lehtë në atë kohë. Gratë kanë qenë të njoftuara pse po ftohen edhe ku po shkojnë, por jo që të bëhej publike. Ka pasur shumë grupe ekstreme që vëzhgonin kush çka po bën. Diçka që është dashur ta bëjnë qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, e kanë bërë organizatat”, rrëfeu aktivistja.
“Shoqëria civile e ka më të lehtë të depërtojë, edhe pse duhet të fitosh shumë besim që të mund të punosh me cilindo grup. Ne e kemi arritur atë. Në vitin 2014 kemi punuar me kuvendaret e komunave”, shtoi ajo.
Tutje, Vetone Kosova Veliu tregoi edhe për angazhimin e saj në arsim, për të cilin tha se ishte i rastësishëm.
“Në arsim, si padashje, kam filluar të punoj në vitin ’80. Isha studente e elektroteknikës. Një shoqe më tha se kishin mungesë të arsimtarit të matematikës dhe më kërkoi të shkoj për zëvendësim. Për mua ishte e çuditshme, por disi vendosa”, u shpreh ajo.
Mes tjerash, ish-mësimdhënësja tha se disa herë ka qenë ajo që ka ngritur zërin kundër padrejtësive, gjë që e ka rrezikuar.
“Partia komuniste atëherë ka mundur edhe të më ndëshkojë për sjelljet e mia. I kam kundërshtuar. Isha pjesë e pleqësisë, dhe e detyronin mësuesen shqipe të mbante shënime në gjuhën serbe. Ajo thoshte: ‘Po unë nuk di.’ Unë i thashë: ‘Edhe po të dish, nuk ke pse shkruan serbisht, por shqip. Pse me mbajt procesverbalin në serbisht kur je mësuese e paraleleve shqipe?”, rrëfeu ajo, plot emocion.
Tutje ajo tregoi se nga gjysma e viteve ’80, u angazhua në shkollën e teknikës në Zveçan, gjë që ka qenë sfidë e madhe.
“Në shkollën e teknikës, në dimër të ftohtë, me acar, kemi punuar pa ngrohje, vetëm paralelet shqipe, kurse paralelet serbe kanë pasur ngrohje. E bënte qëllimisht drejtoresha serbe e asaj shkolle. Temperaturat kanë qenë shumë të ulëta, të gjithë kemi qenë me grip. Më pas na përjashtuan neve shqiptarëve nga shkolla, sepse nuk pranuam të punojmë me sistemin e arsimit të Serbisë, pasi ata kërkonin shumë ndryshime në historinë ku flitet për shqiptarët”, tregon Kosova Veliu.
“Nga Zveçani kemi ecur në këmbë. E kam parë nga dritarja një njeri që kishte pushkën të drejtuar nga ne, qytetarët. Qytetarët serbë, në secilën shtëpi, në dritare, ishin me armë të drejtuara kah ne. Tre kilometra kemi ecur ashtu dhe nuk jemi frikësuar. Ka qenë e ngulitur në kokën tonë: ‘Kosova Republikë’ dhe çlirimi nga Serbia. Pastaj na vendosën në shtëpi private. Pak kam qenë në to, një herë te Lushta, një herë në Bajr. Në Bajr kanë ardhur disa herë policët serbë për kontroll; një herë e kanë përgjakur një vajzë, duke e goditur në fytyrë”, vazhdoi rrëfimin, plot emocion, aktivistja.
Ish-mësimdhënësja tha se, përveç sfidave me serbët, ajo pati edhe sfida të tjera. “Sfidat kanë qenë të shumta. Disa kilometra larg e kam pasur shtëpinë nga shkolla ku jepja mësim. I kam pasur fëmijët e vegjël”, tha ajo.
Ndër të tjera, Veliu Kosova tregoi edhe për pjesën kur, ani pse ishin pjesë e sistemit arsimor, si ajo edhe bashkëshorti, filluan të merren me tregti.
“Në atë kohë ishte e çuditshme. Unë dhe bashkëshorti Hasani, as babai, as gjyshi nuk janë marrë me tregti, e ne filluam të merremi me tregti. Furnizonim një librari me gjëra shkollore dhe një dyqan kozmetike. Na mjaftonte për të bërë një jetë të mirë”, u shpreh ajo.
Në fund, ish-mësimdhënësja bëri edhe një krahasim mes nxënësve të dikurshëm dhe atyre të sotëm.
“Gjashtë vjet kam dhënë matematikë. Është pjesa më e mirë e punës dhe e kontributit tim. Kanë dalë nxënësit më të mirë në matematikë të shkollave të mesme. Nëse atëherë i zgjidhnim 8–10 detyra me minimalisht 30 nxënës, më vonë jo 3, por as 2 detyra s’arrijnë t’i kryejnë. Unë them: fëmijë më inteligjentë se shqiptarët nuk ka, vetëm se është pa punë dhe mungon kujdesi i mjaftueshëm i prindërve. Prindërit i kanë fajet kryesore”, përfundoi ajo.
Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.






