Premium Store
02KOSOVËLAJME

Policia nis hetimet e brendshme në stacionin e Mitrovicës – hetuesi dhe policja që lanë armën në çantë pritet të suspendohen

Një rast skandaloz i vjedhjes së armës brenda Stacionit Policor në Mitrovicë ka alarmuar zinxhirin komandues të këtij rajoni.

Burime të sigurta konfirmojnë për Sinjalin se tashmë ka nisur një hetim i brendshëm ndaj dy zyrtarëve policorë – hetuesit që po merrej me intervistimin e të dyshuarit dhe zyrtares që la armën e saj në çantë, jashtë çdo standardi sigurie.

Active

Sipas informacioneve të sigurta, objekti i hetimit është shkelja e rëndë e procedurave standarde operative (PSO), që kanë mundësuar një incident të paprecedentë: një i dyshuar për disa vepra penale të mbetet i pambikëqyrur në zyrë, të gjejë armën zyrtare në çantë, ta vjedhë dhe ta fshehë në trup, duke u transferuar më pas në një stacion tjetër policor pa u vërejtur asgjë.

Hetuesi, që lejoi të dyshuarin të mbetet vetëm për disa minuta dhe zyrtarja policore, e cila e la revolen e saj në çantën personale dhe doli nga zyra, tashmë janë në fokusin e hetimeve të brendshme. Pritet që së shpejti të merren masa të përkohshme suspendimi ndaj të dy zyrtarëve, në mënyrë që t’i hapet rrugë procedurës disiplinore.

Ky veprim vjen në një kohë kur besimi i publikut në institucionet e sigurisë mund të vihet në sprovë të madhe. Incidenti, që ka  shqetësuar opinionin publik dhe strukturat e rendit, tashmë pritet të ketë edhe pasoja konkrete administrative për ata që dështuan të veprojnë sipas përgjegjësive profesionale dhe protokolleve ligjore.

 

Active 1