Dukato 2
LAJME

Nesër fillon Samiti i NATO-s në Hagë, gazetari i Mitropol, Urall Boshnjaku do e mbuloj LIVE ngjarjen

Nesër më 24 qershor fillon Samiti i NATO-s në Hagë të Holandës. Ky është samiti i parë që do udhëhiqet nga sekretari gjeneral Mark Rutte në mandatin e tij. Samiti do zgjasë dy ditë, pra 24-25 qershor, shkruan Mitropol.

Samiti i Aleancës Veri-atlantike zhvillohet në Forumin Botëror me pjesëmarrjen e krerëve të 32 shteteve anëtare, mes të cilëve edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Premium Store

Përveç këtij grupi, pritet edhe përfaqësim nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, sidomos nga vendet e grupit IP-4 (Indo‑Pacific Four: Japoni, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re), të cilët janë tradicionalisht të ftuar në samite të mëparshme 

Gjatë samitit do diskutohen pritjet që të gjithë Aleatët të arrijnë ose ta tejkalojnë objektivin për të investuar të paktën 2% të PBB-së (Produktit të Brendshëm Bruto) në mbrojtje – në krahasim me vetëm tre aleatë që e kishin përmbushur këtë objektiv në vitin 2014.

Gjatë dekadës së fundit, Aleatët evropianë dhe Kanadaja e kanë rritur gradualisht investimin e tyre kolektiv në mbrojtje – nga 1.43% e PBB-së së kombinuar në vitin 2014, në 2.02% në vitin 2024, kur ata kanë investuar së bashku mbi 485 miliardë dollarë amerikanë (në çmime të përshtatura me vitin 2021) në fushën e mbrojtjes.

Aleatët pritet të bien dakord për një plan të ri investimi në mbrojtje, i cili do të përfshijë një angazhim për të investuar një përqindje më të lartë të PBB-së jo vetëm në shpenzimet bazë për mbrojtje, por edhe në investime të lidhura me sigurinë dhe mbrojtjen, përfshirë infrastrukturën dhe qëndrueshmërinë.

Disa vende evropiane tashmë po i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5% të PBB-së së tyre. Shumica janë vende që jetojnë në afërsi të Rusisë – si Polonia, Estonia dhe Lituania.

Gazetari i Mitropol, Urall Boshnjaku do jetë i vetmi gazetar i akredituar nga mediet shqipe nga Kosova që do mbuloj drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ngjarjen që konsiderohet si ngjarja kryesore e sigurisë në botë.

VIDEO

Ndër temat e rëndësishme që do diskutohen është edhe lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. NATO konsideron se Lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës përbën kërcënimin më të madh për sigurinë euro-atlantike në dekada. Ajo sipas NATO-s e ka shkatërruar paqen në Evropë dhe ka theksuar nevojën që NATO të sigurojë që qëndrimi i saj për parandalim dhe mbrojtje të mbetet i besueshëm dhe efektiv.

Por liderët nuk do mund ta tejkalojnë “elefantin në dhomë”, pa e diskutuar edhe ngjarjen kryesore në botë të 48 orëve të fundit, aksionin e SHBA-së karshi Iranit.

Mes tjerash do diskutohet edhe rëndësia që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë për vet Aleancën si aleatë të NATO-s në këtë regjion të Evropës.

Samitit i paraprin një konferencë para-samitore e shtypit e sekretarit gjeneral, Mark Rutte.

Aleatët po bashkohen për ta bërë NATO-n një Aleancë më të fortë, më të drejtë dhe më të fuqishme ushtarakisht.

“Ne jetojmë në një botë më të rrezikshme dhe ky është një moment vendimtar për sigurinë tonë. Aleatët po bashkohen për të forcuar bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre ndaj NATO-s.”, thuhet në një njoftim të NATO-s në faqen zyrtare të aleancës.

Liderët do të përqendrohen në diskutim të çështjeve që lidhen me parandalimin dhe mbrojtjen nga konfliktet, duke siguruar që NATO të ketë burimet, forcat dhe kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me çdo kërcënim.

Si përgjigje, NATO ka ndërmarrë përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive në një brez, duke rritur ndjeshëm numrin e forcave në krahun lindor dhe duke përmirësuar aftësinë e saj për të përforcuar me shpejtësi çdo Aleat që përballet me kërcënim.

Policia holandeze ka organizuar operacionin e saj më të madh të sigurisë për samitin më të shtrenjtë të NATO-s deri më tani, me një kosto prej 183.4 milionë eurosh./Mitropol/

Active