Arrestohet i dyshuari për tentim vjedhje në Mitrovicë të Veriut – Në podrum gjenden municion, kapsolla dhe uniformë policie

Një person është arrestuar lidhur me një tentim vjedhje të rëndë të ndodhur më 19 qershor 2025 në rrugën Anke Spajiq – Mitrovicë e Veriut, ku tre persona të dyshuar kishin hyrë në një podrum banese, ndërsa njëri prej tyre kishte sulmuar fizikisht pronarin duke i hedhur një kavanoz qelqi, përpara se të arratiseshin.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 24 qershor 2025, në polici është paraqitur Visar Isufi, i cili është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, njësia e hetimeve dhe krimteknikës ka gjetur në podrum: Rreth 120 fishekë për armë gjahu, 27 fishekë karabine 7.9 mm, 129 kapsolla për mbushje, si dhe një uniformë e Policisë së Kosovës.
Sipas pronarit të shtëpisë, municioni i përkiste babait të tij të ndjerë, ndërsa uniforma kishte mbetur aty nga një ish-zyrtar policor që kishte jetuar me qira në atë hapësirë deri në vitin 2022.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes edhe të personave të tjerë në këtë tentim vjedhjeje që mund të ketë motive më të ndërlikuara.








