
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka organizuar një fushatë vetëdijesuese në hapësirat publike të qytetit, me qëllim informimin e qytetarëve dhe kandidatëve potencialë për konkursin e pranimit të zyrtarëve të rinj policorë.
Fushata po zhvillohet në zonat e Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ku janë shpërndarë fletushka dhe materiale promovuese që inkurajojnë aplikimin në Policinë e Kosovës.
Në kuadër të fushatës, zyrtarë policorë nga Mitrovica Veri dhe Mitrovica Jug kanë zhvilluar takime me kandidatët nga komunitete të ndryshme, duke ofruar informacione të detajuara mbi kriteret, procedurat e aplikimit dhe fazat e testimit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri i uron suksese të gjithë kandidatëve, duke theksuar rëndësinë e shërbimit pa dallim ndaj qytetarëve si një vlerë themelore e Policisë së Kosovës.








