
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se qëndrimet e partisë për koalicionet e mundshme, i shpalos kryetari i saj, Krasniqi dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, shkruan Mitropol.
Ai tha se anëtarët brenda partisë kanë qëndrimet e tyre individuale, por se si parti ata preferojnë koalicion me LDK-në apo AAK-në
“Qëndrimin unik të PDK-së e përfaqëson kryetari i PDK-së. Çështjet e tilla janë diskutuar në forumet e PDK-së, pra edhe çështjet e koalicioneve. Ne qëndrojmë prapa asaj që PDK duhet ta krijojë një qeveri që do të udhëhiqet nga kryeministri Bedri Hamza dhe kjo është më e rëndësishme se të gjithë tjerat, të cilën e preferojmë të bëhet me partitë që kemi qenë në opozitë, pra me LDK-në dhe Aleancën. Vendit i duhet një qasje e re, një qeveri që vendin e nxjerrë nga kriza, sanksionet. Nëse e vazhdojmë rrugën e njëjtë me ata që e kanë sjellë vendin në këtë situatë, në sanksione, nën masa, s’mund të presim rezultat ndryshe. Unë mund të kem mendim ndryshe, Përparimi [Gruda] mund të ketë mendim ndryshe, Enveri [Hoxhaj] ndryshe, mirëpo ne kemi qëndrim të qartë të PDK-së. Secili qëndrim i kujtdo tjetër është individual”, tha Tahiri, përcjell Express.
Ndërkaq, për aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, Tahiri tha se Vetëvendosja është ajo e cila duhet ta shfrytëzojë për të dalë nga kriza institucionale.
“Një momentum të ri, të cilin i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë mbi sjelljen e saj në Kuvend sa i përket konstituimit. Tashmë është e qartë që gjatë kësaj periudhe në një mënyrë është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i kësaj seance, duke na imponuar vendime të jashtëligjshme kundërkushtetuese një vendim sa i përket votimit të fshehur. Së bashku do të arrijmë në një kompromis që ta nxjerrim vendin nga kjo situatë e krijuar që ishte angazhim i madh i VV që të mbesim në propozimet e tyre”., tha Abelard Tahiri./Mitropol/








