Active 2
KOSOVËLAJME

PDK dorëzon kërkesë në Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimet e saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

Kërkesa e paraqitur nga Grupi Parlamentar i PDK-së konteston katër veprime të kryera gjatë kësaj seance:

Aurora Group

Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë,

Hedhjen në votim të këtij Komisioni,

Vetë votimin e Komisionit,

Ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të Komisionit.

Sipas PDK-së, këto veprime janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, siç thuhet në njoftimin e partisë, ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK kërkon nga Gjykata Kushtetuese:

Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;

Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;

Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.

PDK thotë se ky hap është thelbësor për të ndalur, siç e quan ajo, “tendencën për përmbysje të rendit demokratik” dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos vendoset mbi Kushtetutën.

“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës,” përfundon njoftimi.

Active 1