LDK dega Vushtrri akuzon Ferit Idrizin për keqpërdorim të parasë publike për blerjen e kandidatëve për asamble

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dega në Vushtrri, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Komunës, Ferit Idrizi, duke e akuzuar për “blerje të kandidaturës” së Fjolla Feratit me para publike, shkruan Mitropol.
Reagimi i LDK-së vjen pas prezantimit të Feratit si kandidate për Kuvendin Komunal nga radhët e PDK-së.
Sipas LDK-së, ky nuk është thjesht një aderim politik, por një veprim i qëllimshëm për të përdorur buxhetin komunal në funksion të interesave partiake.
“A e pagoi Ferit Idrizi 8,000 € nga buxheti i qytetarëve për t’i siguruar Fjolla Feratin si kandidate në listën e PDK-së?”, pyet LDK në deklaratën e publikuar.
Partia opozitare ngre shqetësime serioze mbi ndarjen selektive të subvencioneve nga Komuna, duke përmendur raste konkrete:
• Klubi i futbollit “Samadrexha”, që përfaqëson qytetin në garat evropiane, është mbështetur me vetëm 8,600 €.
• OJQ-ja me traditë shumëvjeçare “Hareja” është përkrahur me 950 €.
• Tifozët “Forca” të KF Vushtrria kanë marrë 2,300 €.
• Ndërkohë, sipas LDK-së, OJQ-ja L’art Youth Gallery, e lidhur drejtpërdrejt me Fjolla Feratin, ka përfituar 8,000 €, vetëm pak muaj para aderimit të saj në PDK.
LDK e cilëson këtë si një nga format më të rënda të “politizimit të parasë publike” dhe një praktikë që dëmton drejtpërdrejt interesin qytetar.
“Nuk do të mund ta blesh pushtetin, Ferit Idrizi. Vushtrria nuk mashtrohet dy herë. Dinjiteti i qytetarëve nuk është në shitje!”, thuhet në fund të reagimit.








