Komuna e Mitrovicës njofton për ndërprerje të përkohshme të sistemit të tatimit në pronë dhe kalimin në sistemin e ri digjital

Drejtoria për Buxhet dhe Financa në Komunën e Mitrovicës ka njoftuar qytetarët se nga data 16 deri më 20 korrik 2025, do të ndërpritet funksionimi i sistemit aktual të tatimit në pronë (STP), për shkak të kalimit në sistemin e ri që do të lëshohet në përdorim nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve më 21 korrik 2025, shkruan Mitropol.
Sipas këtij njoftimi, gjatë periudhës së ndërprerjes, qytetarët që kërkojnë shërbime të lidhura me faturat e tatimit në pronë, duhet të drejtohen te platforma eKosova, ku mund ta nxjerrin faturën dhe ta kryejnë edhe pagesën përkatëse. Pagesat e bëra në këtë mënyrë do të regjistrohen në sistemin e ri të tatimit në pronë.
U bëhet thirrje të gjithë tatimpaguesve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve komunalë dhe të shfrytëzojnë shërbimet digjitale për të shmangur vonesa apo pengesa gjatë tranzicionit të sistemit.








