Ende pa ia bërë “meshnet” si duhet, mbihet bari mbi asfaltin e shtruar nga komuna e Erden Atiq në veri të Mitrovicës

Rruga Kollashinska në veri të Mitrovicës, që së fundmi u asfaltua nga Komuna nën udhëheqjen e kryetarit Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar të prodhojë “gjallëri” të pazakontë – bimë të gjelbra që dalin përmes asfaltit të saposhtruar, madje pa i bërë ende “meshneti” siç thotë populli, shkruan Mitropol.
Pamjet që ka siguruar Mitropol tregojnë një segment të kësaj rruge, ku në vend që të shihen gjurmë të freskëta pune cilësore, bie në sy prania e barit që del në mes të asfaltit, si dëshmi e qartë e një punimi jo të mirëfilltë dhe ndoshta edhe të përshpejtuar për sy e faqe.
Nga Komuna ende nuk ka një reagim zyrtar mbi këtë gjendje, ndërsa qytetarët shpresojnë që rrugët e tyre të mos mbeten veç në letër ose për fushata, por të jenë vërtet rrugë funksionale, të qëndrueshme dhe me standard.
Asfaltimi që përfundon me bar nëpër të, më shumë se investim, po duket si një metaforë për mënyrën se si trajtohen çështjet infrastrukturore në pjesën veriore të Mitrovicës – shpejt, pa plan, dhe mbi të gjitha, pa rrënjë./Mitropol/








