Gruaja e vetme mes 60 burrave – Rrëfimi i Nexhlal Dedës, teknikja që nuk u dorëzua kurrë

Në kuadër të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” ku në fokus janë rrëfimet e grave mitrovicase për sakrificat dhe sfidat gjatë viteve të okupimit, pra viteve 1980-90, së fundmi ka qenë e ftuar teknikja e ndërtimtarisë, Nexhlal Deda.
Nexhlal Deda, e lindur, shkolluar e pensionuar në Mitrovicë, rrëfimin e saj e fillon duke treguar për fillimet e karrierës së saj.
“Qysh prej në moshë të re kam fillu me punu në Kombinatin Ndërtimor “Rami Sadiku”. Vitet 80-90 kanë qenë pak të vështira, në atë kohë filloi stresi, ngarkesat, presioni por ishim të fortë dhe kishim një synim që mos me u dorëzu kështu që e kemi kalu”, tha ajo.
Tutje ajo tregoi se si erdhi deri tek mundësia për punësim.
“Kombinati ndërtimor “Ramiz Sadiku” ka pasë nevojë shumë për kuadër, se ka pasë pak të shkollum. Baba ka punu në “Ramiz Sadik”, kështu që kam fillu menjëherë. Një kohë kam qenë në kantier, pastaj kam kalu në punishte. Kam qenë e vetmja femër në mesin e 60 punëtorëve, por kam pasë respekt. Kam qenë e sigurt në hapat e mija”, tregoi ajo.
Deda rrëfeu për kohën e grevave dhe ndikimin që pati ajo.
“Punëtorët hyn në grevë edhe nuk dojshin me i ndëgju eprorët, deri sa të vjen drejtori gjeneral prej Prishtinës. Betonimi i pllakës masive ish bo, nëse greva nuk u ndërprejke ajo pllakë ish dëmtu krejt. E pamë që me fjalë nuk po bon, une vendosa me dalë me masën me folë.” u shpreh ajo.
“Iu drejtova atyre, disa heshtshin, disa e ulshin kryt. Më në fund thanë po. Iu thash të kemi veç edhe pak durim, greva kryhet po pllaka dëmtohet, atëherë duhet krejt me u hek. Dëmi i madh ishte. Ata u pajtuan. E ndiva veten shumë krenare që më respektuan”, tha tutje ajo.
Ish-teknikja e ndërtimtarisë foli edhe për bashkëpunimin me serbët në kohën e sistemit Jugosllav.
“Për shembull një ka qenë serbë, tre kemi qenë shqiptarë na gjuhën e kemi ndërru kemi fol serbisht. U ndijshim më si në rezervë, nuk kemi qenë të shlirë. Qysh na kanë urdhnu kemi bo”, tha ajo.
Deda tha se në kohën e masave represive, ka qenë në pushimin e lehonisë, por që të freskëta i ka ende rrëfimet e përjetimet e kolegëve të saj.
“Në atë kohë punëtorët i kanë largu komplet prej punishtes, vetëm një rojtar serb ka mbet që i ka ru mjetet e punimeve. Bashkëshorti im ka punu në Trepçë si inxhinier i elektros, po i patën largu prej pune. Pas dy viteve e qelëm një butik privat, puna mirë shkojke. Kemi mbijetu ashtu, me tre fëmijë. Në fazën fillestare kam punu edhe punë dore, kemi jetu me vjehrri. Kemi pasë pak të kursyme, vjehrri me një pension. Kemi qenë 13 anëtarë po kemi mbijetu.” tregoi mes tjerash Deda.
Ajo tutje foli edhe për punën që e filloi pas lufte dhe se vazhdoi si zyrtare komunale në Komunën e Mitrovicës.
“Kur u bë lufta neve na dëbunë prej shtëpisë. Tre muaj kemi qenë në Shqipëri. Kur përfundoi lufta një ish-koleg më takoi e më tha a ke mundësi me ardh me u kyç me punu për popullatë me inçizime të shtëpive të djegne. Une thash vetëm t’i pyes në shtëpi, se e kisha vajzën e vogël 2 vjeçare, s’kishim kurfarë të ardhuna rrishim në shtëpi të hallës, shtëpia e djegne. Thash nëse është në gjendje aba me e këqyr, po vi. Ajo më tha po dhe shkova. Për shembull shkojshim i inçizojshim shtëpitë, i matshim shtëpitë mandej vishim në Drejtori të Urbanizmit i qitshim në letër projekte ideore për me u mbledh sa shtëpi janë të dëmtume, për me mujt me marr donacione prej ndërkombëtarëve për me mujtë me u trajtu. Në disa vende njerzit tenda kishin qitë, aty jetojshin. Të mërzitun, pa kulm. E pashë që ishte edhe punë edhe nevojë për njerëzit për me mujtë me u rigjallnu”, tha ajo.
Tutje ajo tregon se si filluan të pranoheshin donacionet nga ndërkombëtarët për ndihma.
“Kur qato fytyra të përlotuna kur e merrshin vesh që ka me pasë një kulm, një dhomë, i shihshim të buzëqeshur, neve na vike shumë jo veç punë por ndihmesë. Shumë njerëz kishin nevojë, donacionet nuk mjaftojshin. Zakonisht jepeshin nga 54 metra katrorë, mandej jepeshin shumë e ma shumë. Në lagjen time në Bajr kanë qenë 840 shtëpi të djeguna. Tmerr ka qenë po e tejkalum. Të njëjtën shtëpi që na e kanë djeg, e ndërtum pas dy viteve kemi hy aty prap me banu.”, rrëfeu Deda me emocion.
Rrëfimin e saj ajo e përfundoi duke treguar për vitet e fundit të punës së saj dhe pensionimin. “Në drejtori të Urbanizmit pastaj vazhdova punën me një shoqni të mrekullueshme deri në pension, e udhëheqsha administratën teknike. Një kohë u desht përforcim në gjendjen civile, atëherë më lutën edhe mu me shku. Një kohë kam punu edhe në Drejtori të Administratës. Deri në pension kam punu, jam shumë e knaqur”, përfundoi ajo.
Ndiqni intervistën e plotë në linkun e mëposhtëm:

Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Mitropol Media dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.







