Medi
02LAJME

Pas 26 vitesh heshtje, kënga shqipe jehoi në veri – reagim i menjëhershëm me koncert serb në shëtitore

 

Vetëm disa ditë pasi lokali Friends House në veri të Mitrovicës organizoi një mbrëmje të paharrueshme me këngëtarin e njohur Visar Peja, ku për herë të parë pas më shumë se 26 vitesh jehuan këngët shqipe në shëtitoren e qytetit të ndarë, vjen një reagim i dukshëm nga bizneset serbe që veprojnë në këtë zonë, shkruan Mitropol.

Medi

“Mitropol” ka mësuar se katër kafene të njohura në pjesën veriore – Moment Caffe, Pause Cafe Bar, Bora Bora Caffe dhe Knez kanë bashkuar forcat për të organizuar një seri koncertesh dhe DJ të përditshëm, për 5 ditë rresht, nën moton e “Ditët e Mitrovicës”.

Aktivitetet do të mbahen në shëtitore duke filluar çdo ditë nga ora 12:00, të shoqëruara me promocione pijesh.

Kjo ngjarje vjen menjëherë pas suksesit të mbrëmjes me Visar Pejë në Friends House, e cila për shumë qytetarë përfaqësonte më shumë sesa një natë argëtimi, ishte një simbolikë e rikthimit të identitetit, kulturës dhe gjuhës shqipe në hapësira publike të bllokuara për dekada me radhë.

Megjithëse organizatorët nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me motivet, për shumë banorë shqiptarë të Mitrovicës kjo duket si një përpjekje për të balancuar ndikimin kulturor dhe për të rivendosur dominimin simbolik në hapësirat e përbashkëta.

Ngjarjet kulturore në pjesën veriore të qytetit vazhdojnë të mbeten të ngarkuara me simbolikë politike dhe identitare, ndërsa secili aktivitet përcillet me interes të lartë nga të dy komunitetet./Mitropol/

Premium Store