
Gjatë kontrolleve të fundit të zhvilluara nga Inspektorati Komunal në bashkëpunim me atë Sanitar, në disa biznese të Mitrovicës së Veriut janë evidentuar parregullsi të shumta, shkruan Mitropol.
Inspektimet kanë përfshirë dyqane të mallrave të përziera, byrektore, objekte wellness e spa, si dhe dyqane të pajisjeve funerale.
Sipas njoftimit, janë gjetur mallra me afat të skaduar, pije dhe duhan pa pulla akcize, mungesë të njoftimeve për ndalimin e shitjes ndaj personave nën 18 vjeç, si dhe mangësi të dukshme higjienike. Produktet e rrezikshme janë konfiskuar ose asgjësuar, ndërsa pronarëve u janë lënë afate të shkurtra për të bërë korrigjimet e nevojshme.
Komuna thekson se këto masa janë ndërmarrë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, në veçanti fëmijëve, të moshuarve, pacientëve kronikë dhe personave me nevoja të veçanta.
“Qëllimi ynë është vendosja e rregullit dhe krijimi i një ambienti të sigurt për të gjithë”, thuhet në komunikatë.
Objektet e kontrolluara do të mund të hapen sërish vetëm pas përmbushjes së plotë të standardeve ligjore, përndryshe do të mbeten nën monitorim të vazhdueshëm.








