Medi
02LAJME

Rrëfimi i Ferdane Shehu-Misini: Nga nxënëse e shkëlqyer në mësuese e parë e kualifikuar e Mitrovicës, 12 vite drejtoreshë dhe dëshmitare e historisë së qytetit

Në emisionin e radhës të ciklit të emisioneve “Zërat e Heshtur – Gratë e Mitrovicës” ku në fokus janë rrëfimet e grave mitrovicase për sakrificat dhe sfidat me të cilat janë përballur gjatë kohës kur ato kanë kontribuar për vendin, e ftuara e radhës ka qenë ish-mësimdhënësja mitrovicase, Ferdane Shehu Misini, angazhimi i së cilës ka nisur qysh në 1950-tën e ka vazhduar edhe deri pas pensionimit.

Ish-mësimdhënësja rrëfimin e saj e nis duke bërë një prezentim të shkurtër për veten e saj dhe duke treguar për fillimin e shkollimit të saj.

Medi

“Une vij prej një familje fetare. Babën sheh e kom pasë. Kam lind në Mitrovicë në vitin 1935. Me hapjen e shkollave shqipe, pas okupimit të Gjermanisë u hapën shkollat shqipe se kanë qenë gjithë shkolla serbe. Motra ime më e madhe se une ka qenë serbisht edhe vllau serbisht, në 41-shin u hapën shkollat shqipe edhe unë u regjistrova në klasën e parë, shqip. U ndërrojshin shumë mësues, kishin ardh prej Shqipërisë. P.sh e kam pasë mësues Gjergj Martinin, Jani Gjinin, Xhylfidanen ama mbiemrin nuk ja di, edhe një mësuese Marija ka qenë. Merre me mend gjatë një viti shkollor më janë ndërru katër mësues, por secili më i mirë se tjetri kanë qenë.”, tha ajo.

“Mandej ka qenë krizë e madhe ekonomike, në kohën kur ka qenë Gjermania këtu. Ka qenë një protektorat i Gjermanisë që kanë qenë Mitrovica, Novi Pazari, Podujeva dhe Vushtrria. Ndërsa pjesa tjetër prej Prelluzhës e andej ka qenë Italia. Pasi ishte krizë ekonomike, se kështu entuziazmi, qyteti ka qenë u hapën shkollat e programe të ndryshme mirëpo ne u kthym në Gjakovë se stërgjyshi im është i varrosur në Gjakovë dhe baba e kishte shtëpinë në Gjakovë. Merre me mend në klasën e dytë në fillore, i njëjti mësues Gjergj Martini u shpërngul prap në Gjakovë e pata prapë mësues.”, vazhdoi rrëfimin ish-mësimdhënësja.

Ajo i kujtoi të gjithë mësimdhënësit e saj me emra, teksa përmendi që në atë kohë ka pasur edhe mësim-besimi.

“Deri në 1947 ka pasë mësim-besim. Kur u prishën pak marrëdhëniet me Shqipërinë e Kosovën, atëherë e hekën mësim-besimin. Mësim-besimi na jepte Jahja Efendi Bakalli i Gjakovës. Çdo të premte në xhaminë e Hadumit, na mësonte qysh me u fal. Shumë ka qenë hoxhë i përshtatshëm e i mirë, ato fjalët e mira qysh duhet me qenë nxanësi, qysh duhet me i respektu prindërit, shumë ka qenë mësues i mirë.”, u shpreh Shehu Misini.

Se cila ishte një përparësi që ia kishte dhënë jetesa në Mitrovicë, tregon ajo përgjatë rrëfimit.

“Në klasën e katërt na erdh një mësuese serbe, na jepte serbisht. Unë masi isha e Mitrovicës serbishten e kam ditë se kam pasë shoqe serbe, turke, shqiptare e kemi lujtë bashkë. Erdh kjo mësuesja e serbishtes, edhe ajo kërkush nuk dike në Gjakovë serbisht kërkush hiç, edhe ajo folke diçka kërkush hiç. E une gjithë komunikojsha me të, më shikonte me sy të mirë ajo. Po nuk nejti shumë u ndrrunë mandej, shumë mësues serbë kanë ardh po nuk kanë mujtë me nejt edhe nxënësit nuk rrishin urt në orë të tyne. Mu më dukej normal që po fol serbisht, se jom rrit qashtu.”, rrëfeu ish-mësimdhënësja.

Se ajo ka qenë e dalluar dhe e zonja qysh në shkollë, e dëshmon rasti i kalimit të dy viteve shkollore për një herë.

“Ngase isha nxënëse e shkëqyeshme nga klasa e 6-të na qitën në të 7-tën. Dy vite përnjëherë. I dhamë provimet e krejt mirë e kryjtëm, por ndodhi diçka e papritur. Unë si kisha vjetët, 14 si kisha, i kisha 13. E pata nevojë me u regjistru në shkollë të mesme në Gjakovë për mësuese. Kur shkova aty sekretari më tha jo valla ti i ki 13 vjet nuk bon. Nejse dola diqysh e dëshpërume. U ktheva te drejtori po i them qishtu qishtu, ai diqysh më priti indiferent diqysh. I thash su dasht me na qit në klasën e 7, masi veç s’isha pranu. Edhe ai tha ani de vazhdoje prap të 7-tën. Thash qysh? Dola e dëshpërume. Edhe shkova në Zyren e Gjendjes Civile thash me ma dhonë një çertifikatë që i kam 14 vjet. Jo tha çika e mirë nuk bon, i thash nuk e kom për ku me ditë çka veç qishtu qishtu. Ani valla tha du me ta dhon. Besa ma dha. Po qysh me shku prap tash te i njëjti. Me babën erdhem në Mitrovicë nejta 2 javë ditë, mas dy jave u ktheva e mora te një mjek një çertefikatë që jam kanë smutë. E kur erdha në Gjakovë ai sekretari ish shpërngul në Prizren, e dorëzova lutjen e çertifikatën dhe u pranova.”

Ish-mësimdhënësja Ferdane Shehu Misini, duke përmendur me emra, shprehu mirënjohje për mësimdhënësit e saj të dikurshëm.

“Një lavdëratë të posaçme e kam për të gjithë arsimtarët që na kanë dhënë mësim atëhere në shkollën normale. Njëhere në fillim edhe në 8 vjeçare edhe 7 vjeçare i kemi pasë profesorat e Shqipërisë. Prof janë kanë jo mësues. E kam pasë profesor Dhimitër Marku, Dhimitër Fullani, Lirije Tanefi, Tajar Hatipi, Muzafere Hatipi, Esat Kryeziu, Hilmi Kryeziu një gjeneratë shumë shumë e mirë. Kur spjegonin ata mo s’kishe nevojë me kap librin në dorë. Shumë kanë qenë diçka të mirë. Në atë kohë mbërrijtën edhe kuadrot tona me u shkollu në Beograd, edhe kur hina në Normale i pata arsimtarët shqiptarë të Kosovës: Ibrahim Zherkaj, Jusuf Shushka, Ismet Canamusa, Abdullah Zajmi e plot kështu.”, theksoi ajo.

Tutje ajo rrëfimin e vazhdoi duke treguar për kohën kur u kthye të jetonte në Mitrovicë.

“Atëhere e kryva normalen me sukses, në vitin 1950 më vdiq baba e mbeta vetëm me nanën në Gjakovë, vëllau ishte në shkollë teknike në Mitrovicë. Çka me bo hajde po kthehem në Mitrovicë. Në Mitrovicë i kishim tri parë shpija, tri dugojë çka me rrnu në Gjakovë. Edhe u kthym në Mitrovicë. E diplomume për mësimdhënëse. Kur shkova në shkollë fillore me këqyr për vend pune e kështu, më thanë jo. Aty u zhgënjeva. Mësimdhënësit aty ishin krejt të pakualifikum, bile kish femra që janë prej qarshafi në të 50-tën edhe ishin bë mësuese, pak e kishin mësu shkrimin shqip e jepshin mësim aty. Asnjë i kualifikum, me do kurse të ulëta e të mesme. Aty shkoj thash s’paska vend për mu. Shkova te Xhabir Xhabiri ka qenë Kryetari i Bashkësisë Arsimore dhe Drejtor në Shkollën “Meto Bajraktari”. Thash erdha une qishtu qishtu me këqyr punë në Zhabar me shku, tha e pse në Zhabar. Po thash s’paska vend këtu, qysh tha s’ka vend e mi boni disa pytje provokative se shumë e re s’besojke që e kam kry Normalen. Mi bënte disa pyetje provokatike kush të ka dhënë psikologji, kush pedagogji disa pyetje që ja merrke mendja që është dashtë me i ditë. Jo tha drejt shko në shkollë fillore aty është Eshref Kadiu. Shkova aty i kallzova, ai më priti jashtëzakonisht mirë se kuadër e parë mësuese e parë e kualifikume. Më priti mirë, ma dha një klasë, klasa e katërt. Shumë i du fëmitë. Vazhdova me atë klasë. Ishin disa nxënës pak bullista, po edhe ata i ndreça. Një e bëra kryetar, një sekretar, një me rregullu rreshtin. Ashtu sa me i zbutë pak.”, rrëfeu plot mallëngjim ajo.

“Prej aty kalova në shkollën “Meto Bajraktari” klasa me 35 nxënës. Në “Meto Bajraktari” punova dy vjet, pata dëshirë me kalu në shkollën “Vllado Çetkoviç” masi e kisha shumë afër shpisë, zilën e nijsha e shkojsha. Sot është “Andon Zako Çajupi”.”, tha ajo.

Ajo tregoi se atë kohë prindi shkonte dhe e zgjedhte vet mësimdhënësen e fëmiut, e mësuese Ferdane Shehu Misini ishte më e kërkuara nga prindërit.

“I kom pasë 52 nxënës në klasë. Nuk bëjshin zhurmë, por shumë është. Po shkoj une te drejtori thashë shumë është tepër 52 nxënës. Tha prindërit kanë shpreh dëshirë me kon te ti. Edhe ata e dijshin që unë isha e kualifikume. Sido që të jetë 35 nxënës më mbetën mua, tjerët i çuan në shkollën “Muharrem Bekteshi”. Aty edhe punova 16 vjet si mësuese. Pas 16 vjete si mësuese Bashkësia Arsimore e Mitrovicës e bëri një marrëveshje me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit, kush don me u kualifiku në gjuhë dhe matematikë mundet me u regjistru e ata vijshin shtune e dielle na jepshin mësim. Për me u ngrit nga mësuese me u bë arsimtare. Edhe une u regjistrova, edhe aty e kam dhanë fuqinë e fundit shumë kam mësu se duhej me i dhanë provimet e bajagi kanë qenë të rreptë. Edhe e kryva Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Edhe punojsha edhe shtune dielle ata vijshin na jepshin ligjërata. Rregullisht mësojsha edhe e kryva.”, u shpreh Shehu-Misini, duke vazhduar të tregojë për sfidat si drejtoreshë.

“U ktheva si arsimtare në të njëjtën shkollë. Aty punova 8 vjet si arsimtare, mas 8 vjete më emënun drejtor shkolle. Atë e kam mbajt 3 mandata nga 4 vjet. 12 vite Drejtoreshë e shkollës “Andon Zako Çajupi”. Masi u bënë trubullime, jo demonstrata, jo me ndërru planprogramin ishte në pytje historia e muzika e na s’i pranum. U morëm vesh krejt drejtorat mos me pranu. Ishte vitet 80-ta, jo demonstrata jo protesta. Na qitën në gjyq, dulëm në gjyq. S’kishin çka me thënë as ata. Ish ardh një serb si zëvendësim, pse mos me pranu knej anej.”, tha ajo.

Tash 91 vjeçare ajo tregon se në kohën e represionit, atë nuk e larguan nga puna sepse ishte në prag të pensionimit.

“Nganjëherë dhuna po të forcojka. Kur erdhën ata që kërkojshin me lëshu shkollën, une u nervozova u çova në këmbë e kom këqyr orën edhe thash deri në ora 3:00 e kom orarin zyrtar, ju lutem lëshomani zyren. Edhe u çunë ata dulën. Me dorë ju bona edhe derën e çela.”, potencoi ajo.

Ajo tregon se pasi doli në pension në vitin 1991, në vend të saj erdhi një drejtor turk i cili kishte gruan serbe.

“Çka ju ka bë ai zullum shqiptarëve që kanë mbetë aty deri në klasën e 3-të. Tjerat deri në të 7-tën i dëbojshin nuk i lejshin me mbajtë mësim.”, tha ish-mësimdhënësja.

Ferdane Shehu – Misini mes tjerash flet edhe për jetën e saj pas pensionimit në Mitrovicë.

“Jom konë delegate e Kuvendit Komunal, e kemi mbajtë një mbledhje në xhami. Thoshte hoxha nuk keni ardhë në xhami me u falë, po tash qe ju ka rrok zori. Ishte në vitin 1993. Shkum në xhami në Zhabar, te mulla Abdullahu. Shqiptarët nuk i lanë me hy në komunë, e serbët po. Kështu ka funksionu për një kohë të gjatë.”, rrëfeu mes tjerash ish-mësimdhënësja.

Ajo po ashtu tregoi se deri vonë e ka marrë pensionin në Mitrovicë, për dallim prej qyteteve tjera që ua kishin ndërprerë.

“Deri mas luftës nuk kam marrë pastaj pension. Pensionin e kam pasë 20 euro. Simbolike. Tani tu u rrit, tu u rrit.”, tregoi ajo, duke shtuar se të ardhura financiare ka arritur të sigurojë me anë të angazhimeve tjera siç ishte Kuvendi Komunal, ndërsa për 18 vite ajo tha se ka punuar edhe si gjyqtare.

“E kemi pasë një landë për fajdexhi, krim i organizum. Ai gjykim ka zgjatë 4 muaj ditë. E aty paguheshe shumë se zgjaste gjykimi 4-5 orë. Krejt varej sa zgjaste gjykimi, aq bëhej pagesa. Une kam qenë për landë të randa, ato të kurorizime ishin artificiale, veç me nënshkrime kryheshin.”, tha ajo.

Ndër tjerash si 91 vjeçare, ajo flet edhe për sekretin e jetëgjatësisë.

“Kam punu tërë jetën. Mua më doket që puna nuk e plak njeriun. Une me hongër shumë, s’kom hongër. Pemë kom hongër shumë. Beso që harrojsha bukë me hongër. Duhan kurrë s’kom pi.”, rrëfeu ajo.

Shehu Misini tregon edhe për ndjenjën e të qenurit stërgjyshe.

“I du nipat e stërnipat, veç me evlad nuk i ndërroj. Evladi është evlad, nuk ndërrohet me kurgjo. Veç normal kur ata janë ma të vegjël i don e argëtohesh me ta. I kam 40 nipa e mbesa.”, u shpreh ajo.

Ish-mësimdhënësja tregon edhe për humbjen e një prej fëmijëve të saj.

“Dje ka qenë 9 vjetori i humbjes së tij. Shumë e rëndë, shumë. Ka qenë shumë vështirë.”, u shpreh ajo plot emocion.

Në rrëfimin e saj, ish-mësimdhënësja Ferdane Shehu Misini përmendi edhe kujtimet që bart nga Mitrovica e dikurshme.

“Mitrovica i ka pasë 5 ura. Tash është ma e bukur po dihet, po i kam kujtimet e dikurshme une. Kur u vërshojke Lushta, i merrte urat se të drunit kanë qenë. Xhamia e Zallit e ka marrë emrin prej zallit që e ka grumbullu Lushta.”, rrëfeu ajo.

Ajo përshkroi edhe xhamitë e dikurshme që kishte veriu si dhe kohën kur Kosova, përkatësisht Mitrovica, i ka strehuar jahuditë – hebrenjtë.

“Më kujtohet kur i kanë qit jahuditë rresht, një varg burra, tjetra gra edhe një fëmijë. Më kujtohet motra jem më e madhe se une afrohet e i jep bukë një fëmisë. Ia bëjnë hyn në rresht demek, kanë mendu qe është jahudi. Ajo tha jam Muhammedane, si thojshe muhammedan nuk të prekshin se ishin lidhje me Turqi, kur thojshe muhammedan nuk të prekshin nuk të ngucshin.”, rrëfeu ajo.

Përgjatë rrëfimit të saj ajo tregon edhe për besimin e familjes së saj, Dervish – Sheh, dhe mirëpritjen që bënin familja edhe për njerëz të panjohur.

“Teqet e kanë lujt rolin e vet po në mënyrë të fshehtë, në të mirë të kombit shqiptar. Në teqe tonë njerëzit kanë ardhë janë strehu, kanë bujt. E mbaj mend atë një person nejti e shkoj mas një muje, i tha babës: baba sheh po shkoj une. Baba as se veti kush ishte as asgjë. Kanë ardhë, kanë nejt, kanë hongër, kanë pi, kërkush s’i ka vet kurgjo.”, tregoi ajo.

Rrëfimin e saj ish-mësimdhënësja e përmbyll duke e bërë krahasimin e cilësisë së arsimit dhe edukimit dikur dhe tani.

“Më së pari më doket prind tanë kanë qenë analfabet po i kanë eduku në mënyrë shumë pozitive fëmijët. Gjeneratat përpara kanë qenë shumë më të edukume, kur hike mësuesi në klasë fëmijët janë qu në këmbë. Vjen i madhi, fëmija as nuk livrit. Më kujtohet William Walker kur ka ardh, ka shku në Junik në një odë. Ajo deklarata e tij shumë më ka pëlqy kur ka thënë: te shqiptarët kur vike një musafir, ai më i riu ia lëshojke vendin, e te na nuk ka ashtu. Ma shumë kanë punu atëhere se qitash. Tash kam nipa, mbesa, stërnipa e stërmbesa, u bëj nganjëherë kuiz, iu bëj pyetje, nganjëherë nuk dijnë me u përgjigj. E shoh që diçka mbrapa.”, përfundoi rrëfimin ajo.

Dukato 1