
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në kohën sa ka qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Ai dhe ish-drejtori për Gjeodezi, H.M. akuzohen se më 2021 i kishin shkaktuar dëm prej 125 mijë euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Mujka, pos akuzës për keqpërdorim detyre, akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se e ka propozuar edhe shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj të pandehurve.
Mujka ishte arrestuar në korrik të 2023-s dhe ishte dërguar në mbajtje për 48 orë. Atë kohë, Policia pati kryer edhe bastisje dhe pati sekuestruar 60 mijë euro.








