Tahiri e Kadriu vizitojnë fermerin Rexhep Pllana në Kçiq, Tahiri premton se çdo fermer i Mitrovicës do të ketë përkrahje të pakushtëzuar

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka vizituar sot fshatin Kçiq i Madh, ku u ndal në arën e fermerit Rexhep Pllana, i cili njihet për kultivimin e patateve të klasit të parë. Tahiri e cilësoi Pllanën si shembull të ndershmërisë, përkushtimit dhe punës së palodhshme, falë së cilës ai jo vetëm siguron mirëqenien e familjes së tij, por kontribuon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik të komunës.
“Me ndershmëri, përkushtim dhe punë të palodhshme, ai e siguron mirëqenien e familjes së tij dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të komunës sonë. Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë fermerëve tanë. Çdo fermer që punon, do të mbështetet nga Komuna e Mitrovicës,” u shpreh Tahiri.
Në këtë vizitë, kandidati i PDK-së u shoqërua edhe nga drejtori i Bujqësisë në Komunën e Mitrovicës, Ferdi Kadriu, i cili njëkohësisht është kandidat për asamblist me numër 17 në listën e PDK-së. Prania e Kadriut u pa si një tregues i qartë se bujqësia do të mbetet një prioritet i rëndësishëm edhe në programin e ardhshëm qeverisës të kësaj partie në nivel lokal.
Tahiri shtoi se fermerët janë gjenerues të zhvillimit dhe se Komuna duhet të jetë gjithmonë pranë tyre, jo vetëm me fjalë, por me mbështetje konkrete për prodhimtarinë vendore, subvencione dhe krijimin e kushteve për tregtim më të lehtë të produkteve bujqësore.








