
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka zhvilluar një takim të veçantë me gratë e qytetit, ku ka shpalosur vizionin e tij për fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri dhe zhvillimin e komunës.
Ai u shpreh se gratë kanë forcën, aftësitë dhe vizionin për të sjellë ndryshime reale, prandaj është e domosdoshme që institucionet lokale të krijojnë kushte dhe mundësi për to.
“Gratë kanë forcën, aftësitë dhe vizionin për të sjellë ndryshime. Si kryetar i ardhshëm, unë do të angazhohem për krijimin e mundësive të reja për gratë në Mitrovicë, duke ofruar trajnime profesionale, mundësi punësimi dhe mbështetje për bizneset e reja të tyre,” tha Tahiri gjatë këtij takimi.
Ai shtoi se pjesë e këtij angazhimi do të jetë edhe bashkëpunimi me ekipin e tij, duke veçuar kandidaturën e Nafije Rexhës për asamble komunale, si një zë i fuqishëm për përfaqësimin e grave në institucionet vendore. “Së bashku me Nafije Rexhën si asambliste dhe tërë ekipin tim, do të sigurojmë që gratë në Mitrovicë ta kenë vendin që meritojnë, të kenë mundësi të barabarta dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit tonë,” u shpreh ai.








