Tahiri dhe Kadriu vizitojnë fermëren Fatmire Demiri: “Bujqësia është forca jonë, zhvillimi nis nga toka”

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka zhvilluar një vizitë në fermën e Fatmire Demirit, një grua e cila me punën e saj është bërë shembull se si mbështetja e bujqve forcon jo vetëm ekonominë familjare, por edhe atë lokale.
Fatmire Demiri përpunon pemë dhe perime me përkushtim të madh, duke ruajtur traditën e pasur të Mitrovicës në kultivim e përpunim, ndërsa njëkohësisht ka krijuar edhe vende pune për banorët lokalë. Tahiri tha se ajo është dëshmi e gjallë se kur fermerët kanë mbështetje, krijohen histori suksesi që ndikojnë në gjithë qytetin.
“Fatmire Demiri është dëshmi se kur i mbështesim fermerët, forcojmë ekonominë tonë lokale. Ajo përpunon pemë e perime me shumë kujdes, duke ruajtur traditën dhe krijuar vende pune. Në programin tim për Mitrovicën, bujqësia dhe përpunimi i prodhimeve vendore janë prioritet, sepse zhvillimi nis nga toka jonë”, tha Tahiri gjatë vizitës.
Në këtë takim, përkrah tij ishte edhe Drejtori i Bujqësisë dhe kandidati i PDK-së për Asamble komunale me numrin 17 në listë, Ferdi Kadriu, i cili theksoi se përkrahja institucionale për bujqit dhe fermerët e vegjël do të jetë shtylla kryesore e politikave zhvillimore.
Tahiri u zotua se në qeverisjen e tij, bujqësia dhe përpunimi i prodhimeve vendore do të jenë në fokus, duke e parë këtë sektor si një mundësi reale për rritje ekonomike dhe punësim. Ai shtoi se Mitrovicasit e kanë forcën për të krijuar vetë suksesin, ndërsa institucionet duhet të jenë aty për t’i mbështetur në çdo hap.
“Mitrovicasit e krijojnë vetë suksesin dhe ne vetëm duhet t’i mbështesim! Për ty gjithmonë, Mitrovicë!” përfundoi Tahiri.








