Medi
02LAJME

Dr. Sylejman Meholli: “Artakollit e Reznikut do t’ia kthejmë dinjitetin dhe projektet e mungura prej 26 vitesh”

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Dr. Sylejman Meholli, ka vazhduar takimet me qytetarët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Një nga ndalesat e mbrëmshme ishte Oda e Ujkanëve në Reznik, ku së bashku me deputeten e Kuvendit të Kosovës, znj. Fjolla N. Ujkani, si dhe me kandidatët për Kuvendin Komunal nga Artakolli, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me banorët e kësaj ane.

Medi

Në këtë tubim u diskutua për sfidat e përditshme me të cilat përballen banorët e Reznikut dhe Artakollit, ndërsa Dr. Meholli prezantoi vizionin e tij qeverisës të përmbledhur në programin “Bashkë për Vushtrrinë”. Ai premtoi se kjo zonë, e lënë anash për gati tri dekada, do të kthehet në prioritet të zhvillimit të komunës.

Ndër projektet kryesore që u paralajmëruan për këtë pjesë janë:
• Furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm,
• Hapja e një çerdheje publike,
• Transporti falas për nxënësit e shkollave të mesme,
• Rruga Novolan–Vushtrri, e cila do të lehtësojë lëvizjen e banorëve,
• Mbështetje konkrete për bujqësinë,
• Shërbime stomatologjike dhe laboratorike për qytetarët,
• Përkrahje për gratë dhe të rinjtë në zhvillimin e bizneseve lokale.

Gjithashtu, programi parasheh edhe investime në infrastrukturë, si asfaltimi i rrugëve lokale, rregullimi i kanalizimeve, ndriçimi publik në zonat ku mungon, si dhe ndërtimi i trotuareve për më shumë siguri dhe cilësi jete.

Dr. Meholli theksoi se kombinimi i përfaqësimit nga niveli qendror me deputeten Fjolla Ujkani dhe lidershipi i tij në nivel lokal, do të sjellë projekte të prekshme për qytetarët. “Me znj. Fjolla Ujkanin deputete në Kuvendin e Kosovës dhe me mua kryetar komune, Artakollit do t’ia kthejmë dinjitetin, mbështetjen dhe projektet që i kanë munguar tash e 26 vite”, u shpreh ai.

Takimi në Reznik u mbyll me besim të ndërsjellë dhe me përkushtimin që programi i Vetëvendosjes të jetë një kontratë e sinqertë me qytetarët e Vushtrrisë, duke e bërë këtë pjesë të komunës një shembull të zhvillimit e të kujdesit institucional.

Premium Store