Ushtarët izraelitë ndalojnë anijet e Flotës Sumud, hipin mbi anije

Njësitë e marinës izraelite që kanë rrethuar Flotiljen Globale Sumud kanë filluar ta marrin anijet në mënyrë të paligjshme, shkruan Mitropol.
Flotilja, e cila ishte nisur drejt Gazës me qëllim për të thyer bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihma humanitare, u rrethua nga forcat detare të Izraelit, të cilat nisën aksionin e paligjshëm për marrjen e anijeve nën kontroll.
Në llogarinë zyrtare të flotiljes në platformën e rrjetit social X, u publikua deklarata:
“Anijet tona janë nën një rrethim të paligjshëm. Kamerat janë nxjerrë jashtë funksionit dhe ushtarë kanë hipur në anije.”
Në deklaratë gjithashtu u tha se po punohet për të verifikuar sigurinë dhe gjendjen e të gjithë pasagjerëve në bord.
Pjesëmarrës të pakët nga Flotilja Globale Sumud, me të cilët Agjencia Anadolu vazhdon të mbajë kontakt, konfirmuan se marina izraelite ka filluar sulmet ndaj anijeve të flotiljes.
Në transmetimin e drejtpërdrejtë përmes kanalit të YouTube të flotiljes me qendër në SHBA, u pa se disa aktivistë në varka po prisnin në gjendje gatishmërie në kuvertë me jelekë shpëtimi, përballë një sulmi të mundshëm nga Izraeli.
Gjithashtu, në një postim në platformën Instagram, flotilja njoftoi se marina izraelite kishte ndërmarrë një bastisje të paligjshme mbi anijen Sirius dhe disa mjete të tjera lundruese të flotiljes. Në njoftim thuhej:
“Transmetimet e drejtpërdrejta dhe linjat e komunikimit janë ndërprerë. Nuk ka ende informacion të konfirmuar për gjendjen e pjesëmarrësve dhe ekuipazhit.”
Aktivistët me të cilët foli gazetari i AA-së informuan se ushtarët izraelitë kanë ndërhyrë në anijet Alma, Sirius dhe Adara, duke ndërprerë kontaktin me to.
Në një mesazh të dërguar familjeve të aktivistëve që ndodheshin në anijet Adara, Alma dhe Sirius, thuhej:
“Është ndërhyrë në këto tre mjete lundruese. Ju lutemi, qëndroni të qetë.”
Mesazhi shtonte gjithashtu:
“Tani është koha që të gjithë sytë të drejtohen nga flotilja, të ushtroni presion mbi ambasadat tuaja dhe të thërrisni qeverinë tuaj të ndalojë së mbështeturi gjenocidin e Izraelit.”
Gazetari i El País, Carlos de Barron, i cili ndodhet në anijen Captain Nikos, deklaroi në një video të publikuar në YouTube se ushtarët izraelitë kanë ndërhyrë edhe në këtë anije. Ai shtoi se dronët izraelitë po fluturojnë mbi ta dhe bëri të ditur se, sipas marrëveshjes paraprake brenda flotiljes, ata janë gati të shoqërohen drejt një porti izraelit pa rezistencë.
Ndërkohë, aktivistja turke Semanur Sönmez Yaman nga organizata Press For Palestine deklaroi se flotilja ndodhet rreth 60 milje detare larg Gazës.








