Krenari: 16-vjeçari nga Vinarci i Mitrovicës, Leon Ibrahimi me banim në Gjermani ftohet nga Kombëtarja e Kosovës U17

Një tjetër histori suksesi për futbollin e të rinjve kosovarë vjen nga Troisdorf i Gjermanisë. Leon Ibrahimi, i biri i Hilmi Ibrahimit, 16-vjeçari me prejardhje nga Vinarci i Ulët i Mitrovicës, është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës U17 dhe tash është pjesë e Kombëtares me të cilën do jetë bashkë në kualifikimet për Kampionatin Evropian.
I lindur në shkurt të vitit 2009, Leoni luan për ekipin U17 të Bonner SC, ku po spikat si një prej qendër-mbrojtësve më premtues në formacionin e trajnerit legjendar Jürgen Kohler, ish-kampion me kupa botërore, dhe bashkëtrajnuesin Mohamed Ahardane. Nën drejtimin e këtij stafi teknik, ai po zhvillohet me hapa të sigurt dhe po dëshmon potencialin e tij të madh në qendër të mbrojtjes.

Ftesa nga Kombëtarja e Kosovës ishte një nder i madh për Leonin dhe një dëshmi e punës së shkëlqyer që po bëhet me të rinjtë në futbollin gjerman. Klubi i tij, Bonner SC, kishte reaguar me krenari duke publikuar një mesazh për mbrojtësin kosovar, ditëve kur Ibrahimi u ftua nga Kombëtarja.
“Ekipi U17 i Bonner SC mund të jetë krenar për veten dhe veçanërisht për Leon Ibrahimin! Lojtari ynë i talentuar është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës dhe do jetë pjesë e kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Ftesa e tij nuk ishte vetëm një nder i madh personal, por edhe një dëshmi e bukur për punën e shkëlqyer që bëhet me të rinjtë në Bonner SC. I urojmë shumë suksese Leon Ibrahimit dhe ekipit të Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian! I gjithë klubi është shumë krenar për ty, Leon, dhe mezi presim të të kemi sërish në radhët tona së shpejti!”
Me talentin dhe përkushtimin e tij, Leon Ibrahimi po përfaqëson me dinjitet Kosovën dhe po frymëzon shumë të rinj nga diaspora që të ndjekin ëndrrën e tyre në futbollin ndërkombëtar.







