Pacientët e Hemodializës në Mitrovicë ankohen për mungesë materialesh, spitali mohon problemet

Qytetarët e Mitrovicës të cilët marrin trajtim në repartin e Hemodializës kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mungesën e materialeve për shërbim mjekësor, shkruan Mitropol.
Ata kanë thënë se sot në mëngjes për disa orë kanë pritur për të marrë trajtimin, gjersa u është thënë se një autoambulancë ka shkuar për ta marrë materialin në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës dhe kthehet për dy orë.
Në anën tjetër, Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, ka sqaruar se Shërbimi i Hemodializës në këtë spital po funksionon normalisht dhe pa pengesa.
“Sqarojmë opinionin publik se furnizimi me materialet e nevojshme po kryhet rregullisht në baza ditore nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK). Pacientët tanë janë të furnizuar me të gjitha materialet e domosdoshme për trajtim,” ka deklaruar Berisha.
Ai ka shtuar se nuk ka arsye për shqetësim, pasi ky shërbim jetik do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje.







