Medi
02LAJME

Bereqeti në Mitrovicë shpërndan ndihma për familjet me jetimë falë mbështetjes nga Turqia dhe Arabia Saudite

Shoqata humanitare “Bereqeti” – dega në Mitrovicë ka realizuar edhe një aktivitet solidarizues me qëllim përkrahjen e familjeve me jetimë të regjistruara në këtë organizatë. Në prag të dimrit, kur nevojat sociale dhe ekonomike të familjeve rriten, Bereqeti ka siguruar pakot e radhës të ndihmave falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerë ndërkombëtarë.

Kësaj radhe, ndihmat janë mundësuar nga Dijanrti i shtetit të Turqisë, një prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të shoqatës, i cili prej vitesh kontribuon në projekte sociale dhe humanitare në Kosovë.

Medi

Përmes kësaj mbështetjeje, një numër i konsiderueshëm familjesh me jetimë kanë marrë ndihmat e nevojshme ushqimore dhe higjienike.

Krahas Dianetit, Shoqata Bereqeti ka theksuar se përkrahja për jetimët vjen edhe nga Fondi i Mbretit Selman nga Arabia Saudite, duke e bërë të mundur që ndihmat të jenë më të shpeshta, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse. Kontributi i këtyre donatorëve ndërkombëtarë vlerësohet si jetik për shumë familje që përballen me vështirësi të përditshme.

“Donatorëve tanë u shprehim mirënjohje të thellë dhe përzemërsisht i falënderojmë për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme. Ndërsa këtyre fëmijëve u urojmë shëndet, gëzim dhe lumturi në rrugëtimin e tyre të jetës”, thuhet në mesazhin e stafit të shoqatës.

Aktivitete të tilla po forcojnë edhe më tej rolin e Bereqetit në mbështetjen e kategorive sociale në Mitrovicë, duke dëshmuar se solidariteti dhe humanizmi mbeten vlerat më të forta të komunitetit tonë. Shoqata ka paralajmëruar se projektet për jetimët do të vazhdojnë edhe gjatë muajve të ardhshëm, me qëllim që asnjë familje e kësaj kategorie të mos mbetet pa mbështetje.

Në Mitrovicë, Bereqeti mbetet një nga adresat më të sigurta të humanizmit, duke lidhur komunitetin lokal me zemërgjerësinë ndërkombëtare./Mitropol/

Premium Store