
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29.11.2024. Jovan Viçentijeviç është personi kyç në organizimin e sulmit i cili akuzohet edhe për veprën penale të spiunazhit.
Hetuesit kanë gjetur fotografi, video dhe dokumente që dëshmojnë veprimtari ushtarake, spiunazhi dhe propagandistike në dëm të sigurisë kombëtare të Kosovës.
Në materialet e gjetura, Viçentijeviç shihet i veshur me uniformë ushtarake, duke manovruar me armë të llojeve të ndryshme si kallashnikov, zolla dhe revole, si dhe duke vëzhguar terrenin me dylbi ushtarake.
Hetuesit kanë gjetur gjithashtu fotografi nga ngjarjet e vitit 2011 në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, si dhe fotografi të barrikadave e figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas prokurorisë, ishin përdorur për qëllime dezinformimi.
Një tjetër gjë e rëndësishme është se, Jovan Viçentijeviç ka zbulur raporte të klasifikuara si “Konfidenciale”, që dyshohet se janë dokumente të KFOR-it të siguruara në mënyrë të paligjshme.
Një raport 66-faqësh, i datës 28 prill 2009, me titull “Situata e sigurisë te Kroi i Vitakut – Mitrovicë”, është përdorur si dëshmi për veprimtarinë e tij të spiunazhit.
“Gjithashtu gjatë analizimit të dokumenteve ka rezultuar me gjetjen e një raporti që dyshohet se është përpiluar nga KFOR-i dhe siç shihet dokumenti prej 66 faqesh është i klasifikuar si Konfidencial ku përshkruhet situate e sigurisë tek “Kroi i Vitakuť” në Mitrovice gjatë vitit 2009. Ky dokument KONFIDENCIAL i përpiluar nga KFOR-i, i dt. 28 prill 2009, ishte siguruar nga i pandehuri Jovan Viçentijeviç, që dëshmon për veprimtarin e tij të spiunimit”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Paparaci.
Po ashtu, hetuesit kanë gjetur kartë identifikuese ushtarake serbe, ku Viçentijeviç figuron me gradën Kolonel dhe pozitën e zyrtarit të inteligjencës ushtarake të Ushtrisë së Serbisë, si dhe dokumente që përshkruajnë strukturën e Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Serbe.








