Dy sirianë gjenden të therrur me thikë nga dikush në Veri, autori iku në drejtim të Serbisë

Në orët e para të mëngjesit të 10 dhjetorit 2025, një incident i rëndë është regjistruar në fshatin Koshuticë, komunë e Leposaviqit. Dy dëshmitare femra kosovare kanë raportuar se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë gjetur një person të shtrirë, me plagë të shumta në pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Viktima është një burrë rreth 40 vjeç, shtetas i Sirisë, njofton Mitropol.
Ai është transportuar fillimisht në Spitalin e Mitrovicës Veri, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë, është transferuar më pas në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtejshëm.
Rreth orës 11:05, njësiti policor i SPMK-së në Jarinjë gjatë patrullimit në fshat ka gjetur një person tjetër, një burrë sirian 27 vjeç, me lëndime në kokë dhe këmbë, që dyshohet se janë shkaktuar po ashtu nga një mjet i mprehtë. Viktima ka deklaruar se plagosja e tij ka ndodhur mbrëmë dhe se i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit me Serbinë. Ai është dërguar gjithashtu në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtejshëm.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të incidentit, i cili trajtohet si vrasje në tentativë./Mitropol/








