Medi
KOSOVËLAJME

Oda e Avokatëve të Kosovës ngre shqetësim për pajisje incizimi në objektet e Policisë

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka bërë të ditur se gjatë vizitave të kryera në disa objekte të Policisë së Kosovës, Kryetari i OAK-së Besnik R. Berisha dhe Nënkryetari Naim Rudari kanë hasur pajisje që ngjasojnë me kamera artizanale në hapësirat ku mbahen intervistat dhe konsultat konfidenciale mes avokatëve dhe palëve.

Sipas OAK-së, prania e këtyre pajisjeve përbën rrezik të drejtpërdrejtë për standardet e konfidencialitetit dhe të drejtave procedurale, që janë parimore për ushtrimin e profesionit të avokatit. Menjëherë pas konstatimit, Oda ka kërkuar sqarim zyrtar nga Policia e Kosovës.

Dukato 1

Në përgjigjen e saj, Policia ka njoftuar se pajisjet:

  1. Janë instaluar rreth tre vite më parë si pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video në dhomat e intervistimit;
  2. Nuk përfaqësojnë pajisje të fshehta apo ilegale dhe nuk menaxhohen nga stafi hetues;
  3. Nuk janë funksionalizuar dhe nuk kanë gjeneruar asnjë incizim;
  4. Janë vendosur në kuadër të një projekti të koordinuar me institucionet kompetente.

Megjithatë, sipas OAK-së, fakti që pajisjet ngjasojnë me kamera të improvizuara, nuk kanë shenja identifikuese dhe nuk janë të sinjalizuara teknikisht, krijon pasiguri të justifikuar te avokatët dhe cenon standardet e konfidencialitetit të garantuara me ligj.

Për këtë arsye, Oda u bën thirrje të gjithë avokatëve të jenë vigjilentë dhe të shmangin zhvillimin e konsultave konfidenciale në hapësira ku ekziston dyshim për sigurinë teknike apo privatësinë e bisedës, pavarësisht sqarimeve të Policisë.

Oda e Avokatëve të Kosovës rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e standardeve profesionale, të drejtave procedurale të palëve dhe garantimin e kushteve të sigurta e të pandikuara të konfidencialitetit në të gjitha objektet ku zhvillohen intervistime.

Active 1