Active 2
LAJMESPORT

Fitorja ndaj Borës e çon Trepçën në krye të Superligës

 

Kampionia në fuqi, Trepça, është liderja e re në Superligën e Kosovës në basketboll.

Medi

Të martën mbrëma, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, dhe në praninë e pak shikuesve, Trepça e mposhti Borën e Prishtinës me rezultat bindës 90:72.

Kjo ndeshje ishte e mbetur nga xhiroja e pestë e Superligës. Bora ishte skuadra vendase, por përballja u zhvillua në Mitrovicë.

“Xehetarët” e vendosën ndeshjen në çerekun e tretë, ku bënë shkëputjen e madhe. Çereku i parë përfundoi 21:16 për Borën, ndërsa pas pjesës së parë rezultati ishte 39:36 për Trepçën. Çereku i tretë u mbyll 38:11 në të mirë të mitrovicasve, duke e vulosur fitoren, ndërsa çereku i katërt ishte më shumë formalitet.

Ja’cori Payne udhëhoqi Trepçën me 17 pikë, nëntë asistime dhe katër kërcime. Mikaile Tmushiq po ashtu pati paraqitje të mirë me 14 pikë, pesë kërcime, pesë asistime dhe gjashtë topa të rrëmbyer, ndërsa Drilon Hajrizi shënoi 20 pikë.

Te Bora u dallua Shaquan Jules me 25 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Amin Hot kontribuoi me 17 pikë, gjashtë kërcime dhe tri asistime.

Bora ishte në seri prej katër fitoreve radhazi, por kësaj radhe nuk pati gjasa përballë Trepçës.

Me këtë fitore, Trepça tani ka tetë fitore dhe tri humbje, duke udhëhequr tabelën me 19 pikë. Bashkimi dhe Peja kanë nga 18 pikë, ndërsa Bora me pesë fitore dhe gjashtë humbje ka 16 pikë dhe renditet në mesin e tabelës.

Superliga vazhdon menjëherë të mërkurën me dy ndeshjet e para të xhiros së 12-të. Nga ora 18:45 zhvillohen takimet GO+ Peja – Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi – Rahoveci. Të enjten, po nga ora 18:45, luhen ndeshjet Bashkimi – Golden Eagle Ylli dhe Trepça – Bora.

Kështu, dy skuadrat që u përballën të martën do të takohen sërish të enjten, në të njëjtën arenë.

Premium Store