
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për zgjerimin e Policisë së Kosovës me Drejtorinë e katërt Rajonale Kufitare, si dhe funksionalizimin e hapësirave të reja për zyrtarët policorë në Leposaviq.
Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve për mbrojtjen e kufirit dhe parandalimin e veprave penale ndërkufitare, sot kanë nisur punën në objektet e reja zyrtarët kufitarë të Drejtorisë Rajonale Kufitare Veriu – Leposaviq. Kjo drejtori mbulon zonën kufitare që përfshin Deçanin, Pejën, Istogun, Zubin Potokun, Leposaviqin, Zveçanin, Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Skënderajn.
Sipas ministrit Sveçla, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sigurisë kufitare dhe në garantimin e zbatimit më efikas të ligjit, në shërbim të sigurisë dhe rendit për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.








