
Komuna e Vushtrrisë ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në hapësira publike, shkruan Mitropol.
Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, ka nxjerrë urdhëresë zyrtare me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.
Sipas kësaj urdhërese, ndalimi hyn në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 3 janar 2026. Përjashtim nga ky vendim bën nata e ndërrimit të viteve, konkretisht data 31 dhjetor 2025 nga ora 23:00 deri në orën 00:30 të datës 1 janar 2026.
Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se të gjithë personat që nuk e respektojnë këtë urdhëresë do të përballen me masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.







