
Policia e Kosovës ka raportuar për një sërë incidentesh kriminale dhe ngjarjesh të tjera të ndodhura gjatë datave 19 dhe 20 dhjetor 2025, kryesisht në komunat e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut.
Në fshatin Vraçevo të Leposaviqit, më 20 dhjetor rreth orës 06:45, është arrestuar një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, një trombllon, fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Me urdhër të prokurorit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Po atë ditë, rreth orës 18:40 në Leposaviq, policia është njoftuar për një rast hetimi mbi vdekjen. Një burrë i ndjerë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor. Sipas të afërmve, ai jetonte i vetëm dhe nuk ishte përgjigjur në telefon. Njësitë policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke hapur me forcë derën e banesës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, më 19 dhjetor rreth orës 23:25, në Leposaviq është raportuar për një rrahje mes disa personave. Policia ka arrestuar një burrë të dyshuar, ndërsa tre persona janë shoqëruar në cilësinë e dëshmitarëve. Pas intervistimit, të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt. Një tjetër burrë i dyshuar, që dyshohet se ka iniciuar rrahjen, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe rasti po vazhdon të hetohet.
Një rast dhune në familje është raportuar më 20 dhjetor rreth orës 19:08 në Mitrovicë të Veriut. Gruaja viktimë ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Jugut, ndërsa burri i dyshuar ndodhet në kërkim policor. Prokurori është njoftuar dhe rasti është në proces hetimor.
Në një raport shtesë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 20 dhjetor, me urdhër të gjykatës, është bastisur shtëpia e një burri të dyshuar në Leposaviq, lidhur me rastin vrasje e rëndë në tentativë dhe rrëmbim, i ndodhur më 1 nëntor 2025. I dyshuari dyshohet për dhënie ndihme në kryerjen e veprës penale. Gjatë bastisjes janë sekuestruar nëntë telefona celularë, një laptop, disa dokumente, një pushkë gjuetie me fishekë, jelek për fishekë dhe një tytë arme. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Sa i përket aksidenteve në trafik, më 20 dhjetor rreth orës 19:35, në fshatin Dren të Zubin Potokut ka ndodhur një vetaksident, ku drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për hetimin e rastit.
Ndërsa rreth orës 20:00, në rrugën nacionale Jarinjë–Leposaviq–Jarinjë, ka ndodhur një aksident trafiku mes dy automjeteve me targa të huaja. Si pasojë, njëri nga drejtuesit e automjeteve, një burrë, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Jugut. Me konsultim të prokurorit, rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.







