
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim zyrtar në Washington, D.C., me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), duke e vlerësuar këtë veprim si dëshmi të qartë të mbështetjes amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ajo falënderoi gjithashtu për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për nxitjen e investimeve strategjike ekonomike.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vizionit të Presidentit Trump që dialogu Kosovë–Serbi të bazohet në njohje reciproke, duke e cilësuar këtë qasje si thelbësore për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. Ajo vlerësoi po ashtu faktin që Administrata Trump ka përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshim kufijsh apo ndarje territoriale.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, situatën e sigurisë dhe rëndësinë e avancimit të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë kyçe për forcimin e partneritetit dypalësh dhe bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.
Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara, duke përmendur veprimet konkrete që dëshmojnë këtë linjëzim, përfshirë heqjen e tarifave për produktet amerikane, marrëveshjen për shtetasit e vendeve të treta, harmonizimin e plotë me politikën e jashtme amerikane dhe listën e organizatave të huaja terroriste, në përputhje me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump.
Në këtë kontekst, Presidentja ngriti edhe çështjen e shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kërkuar mbështetjen e Administratës Trump për adresimin e kësaj problematike.
Takimi me Zëvendës Sekretarin Landau, i dyti bilateral brenda këtij viti, konfirmon përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit, me Presidenten Osmani që ritheksoi se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit të saj të përhershëm.








