Faton Peci gënjen katër herë për Veriun në një video të vetme, duke tentuar ta lartësojë Kurtin

Kryetari i ri i Mitrovicës, Faton Peci, u bë temë e talljes me delaratën e tij në anglisht ku tha se do propozoj që ura e re e këmbësorëve mbi lumin Ibër në Mitrovicë të quhet Albin Kurti, shkruan Mitropol.
Në këtë video, Faton Peci flet edhe për arritjet e Qeverisë Kurti në veri, duke tentuar t’i hyj në qef edhe më shumë ish-shefit të tij dhe tash partnerit të koalicionit, Albin Kurtit.
Në videon ku Peci flet për veriun thotë se: “Për të gjitha arritjet në veri (…), ku nuk funksionon dinari i Serbisë, e ku s’ka institucione paralele, ku s’ka targa të Serbisë, (…), ku nuk ka kontrabandë”, ai tregon hiç më pak se katër gënjeshtra.
Peci fillimisht gënjen se në veri s’funksionon dinari. Ekipi i “Mitropol” ishte sot në terren dhe pa e vërtetoi se dinari vazhdon të përdoret si mjet pagese ende, duke përgënjeshtruan Pecin dhe propagandën e tij.
Pastaj Peci tha se në veri s’ka institucione paralele, duke harruar se sistemi shëndetësor por edhe ai arsimor ende i përgjigjen Ministrisë së Shëndetësisë e asaj të Arsimit në Serbi, duke funksionuar si sistem paralel në Kosovë. Madje, për ta dëshmuar se Serbia vazhdon prezencën e saj në Kosovë, hiç më larg se para ca ditësh ajo shpalli konkurs për punëtorë shëndetësorë në prag të zgjedhjeve për ta ndihmuar Listen Serbe.
Lajmi për këtë është konfirmuar nga Zyra e ashtuquajtur për Kosovë dhe Metohi.
Sipas njoftimit zyrtar, konkursi është shpallur sërish në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen të dielën, më 28 dhjetor, në Kosovë. Përveç sektorit të shëndetësisë, Serbia vazhdon të jetë e pranishme edhe në fusha të tjera, duke financuar arsimin dhe skemat sociale në Kosovë. Arsimi në këto institucione zhvillohet sipas planprogrameve dhe sistemit arsimor të shtetit serb, e jo sipas kurrikulave dhe sistemit arsimor të Republikës së Kosovës, shkruan Mitropol.
Këto veprime dëshmojnë vazhdimësinë e angazhimit institucional të Serbisë në Kosovë, përmes strukturave paralele në sektorë të ndryshëm.
Faton Peci tutje deklaroi se në veri nuk ka më targa të Serbisë. Mjafton që ta bëni një shetitje të shkurtër nëpër rrugë dhe të shihni qindra makina me targa serbe, gjë kjo që sërish përgënjeshtron propagandën e Pecit.
Ish-ministri i Albin Kurtit thotë edhe se në veri s’ka më kontrabandë. Hiç më larg se më 24 dhjetor Policia njoftoi për tri raste të kontrabandës në Leposaviq.
Edhe te çështja e ndërtimit të urës së re, Peci duket se ka harruar se aty gjithmonë ka ekzistuar një urë që ka lidhur jugun me veriun, e ndërtuar nga francezët, e cila ishte larguar prej aty pikërisht për t’u ndërtuar një ure e re e cila ishte planifikuar dhe paraparë të financohej në mandatin e ish-kryetarit nga VV, Agim Bahtiri.
Sa i përket urës së re, kujtojmë që Ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherësh kandidati për kryeministër të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar një javë më parë se projekti për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër nuk do të ishte realizuar pa angazhimin e tij të drejtpërdrejtë.
Sipas Hamzës, ideja për ndërtimin e urës ka lindur në zyrën e tij, menjëherë pas një takimi që kishte zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti. Ai ka theksuar se Komuna e Mitrovicës ka mbuluar shpenzimet për projektin teknik, ndërsa lejet për ndërtim janë lëshuar po nga ky institucion. Sipas tij, ndërtimi i urës kishte qenë i planifikuar edhe në buxhetin e Komunës, mirëpo, meqenëse Qeveria e Kosovës kishte mjetet e nevojshme financiare, projekti është realizuar nga niveli qendror.
E Peci duket se kur po deklaron që ura e re të emërohet “Albin Kurti”, poashtu po harron se ura kryesore mbi lumin Ibër për të cilën Albin Kurti kishte deklaruar se do e hapin gjatë vitit të kaluar dhe se për ta hapur atë s’kishin nevojë të pyesnin askënd nga ndërkombëtarët, vazhdon të mbetet e mbyllur pikërisht për shkak të mos-lejimit nga ndërkombëtarët.
Se a do e realizoj Peci dëshirën e tij për ta emëruar urën e re, Albin Kurti, mbetet të shihet në periudhën në vijim./Mitropol/








