
Dy raste të ndara të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm janë raportuar mbrëmjen e së shtunës në rajonin e Mitrovicës dhe në Skenderaj, ku si rezultat i intervenimit policor janë konfiskuar armë, karikatorë dhe gëzhoja, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, shkruan Mitropol.
Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Broboniq të Mitrovicës, rreth orës 22:20. Sipas policisë, njësiti policor ka konfiskuar nga personi i dyshuar një pistoletë me gaz, dy karikatorë dhe 72 fishekë, me të cilën dyshohet se kishte shtënë në ajër. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe 15 gëzhoja të fishekëve. Pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, rasti i dytë është raportuar në Skenderaj rreth orës 23:10. Policia ka arrestuar personin e dyshuar, pasi që gjatë një ahengu familjar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar gjashtë gëzhoja të fishekëve, ndërsa nga i dyshuari është konfiskuar edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur në rast. Edhe në këtë rast, pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore dhe ka apeluar tek qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve, veçanërisht në ambiente familjare apo publike, pasi një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e të tjerëve./Mitropol/








