
190 kadetë nga rajoni i Mitrovicës që synojnë të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, po iu nënshtrohen kontrolleve sistematike mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.
Drejtori Ekzekutiv i Spitalit, Gëzim Berisha, së bashku me u.d. drejtorin mjekësor, Dr. Qenan Çabra, kanë pritur një delegacion të Policisë së Kosovës, në përbërje të dr. Merita Zogu, drejtoreshë e drejtorisë së shërbimeve shëndetësore në Policinë e Kosovës.
Drejtori Berisha, gjatë takimet theksoi se Spitali ofron kujdes për të gjithë banorët e rajonit të Mitrovicës, por theks dhe kujdesi veçantë i kushtohet institucioneve publike, me kontrolle mjekësore sistematike, si për Policinë e Kosovës, FSK, por edhe institucione të tjera.
Sipas tij, puna me kontrollet sistematike të kadetëve po shkon sipas planifikimit.
Në anën tjetër Dr. Qenan Çabra, u.d. drejtor mjekësor, tha se kanë angazhuar stafin e nevojshëm mjekësor për të kryer këto vizita mjekësore.
Dr. Merita Zogu, drejtoreshë e Departamentit për Shërbime Shëndetësore në Policinë e Kosovës, përgëzoj stafin e Spitalit për punën dhe përkushtimin, duke shtuar se procesi i kontrolleve sistematike po shkon mbarë dhe sipas planifikimit.








