Dyshohet për shpëlarje parash në Leposaviq, sekuestrohen mbi 59 mijë euro të padeklaruara

Një rast i dyshuar i shpëlarjes së parave është evidentuar mbrëmjen e së dielës në komunën e Leposaviqit, ku Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj një personi të dyshuar, shkruan Mitropol.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 20:00, gjatë një kontrolli rutinë në automjetin e personit të dyshuar, zyrtarët policorë kanë hasur në një shumë parash të padeklaruara në vlerë prej rreth 59,055 euro. Dyshimi për prejardhjen e këtyre mjeteve financiare ka bërë që rasti të trajtohet në kuadër të veprës penale të shpëlarjes së parave.
Me vendim të prokurorit kompetent, shuma e parave është sekuestruar përkohësisht, derisa të vërtetohet origjina e tyre. Po ashtu, policia ka sekuestruar edhe disa dokumente relevante që dyshohet se lidhen me aktivitetin ekonomik të të dyshuarit, përfshirë çertifikatën e biznesit nga ARBK, çertifikatën e biznesit nga ATK, si dhe raportin ditor fiskal (Z-raportin). Këto dokumente do të shërbejnë si prova materiale dhe do t’i nënshtrohen analizës së mëtejme nga organet kompetente.
I dyshuari është intervistuar në prani të organeve hetimore dhe, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vazhdojnë./Mitropol/








