Mbushni rezervat: Ujësjellësi njofton se do ndëprej ujin në Mitrovicë si pasojë e shiut që ra mbrëmë

Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë natës dhe rritjes së ndjeshme të nivelit të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit, KRU “Mitrovica” Sh.A. ka njoftuar se është detyruar të ndërpresë përkohësisht furnizimin me ujë të pijes për konsumatorët, shkruan Mitropol.
Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, kjo ndërprerje është një masë e domosdoshme parandaluese, e cila po ndërmerret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes, në përputhje të plotë me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi. Rritja e turbulleshmërisë në burimin furnizues e bën të pamundur distribuimin e ujit pa rrezikuar cilësinë e tij.
Nga KRU “Mitrovica” bëhet e ditur se ekipet teknike janë në terren dhe po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme. Sapo të konstatohet normalizimi i nivelit të turbulleshmërisë dhe të krijohen kushtet e sigurta për trajtim dhe shpërndarje, furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë.
Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se shëndeti publik dhe cilësia e ujit mbeten prioritet absolut në çdo vendimmarrje operative.
Ndërkohë, konsumatorët këshillohen që të planifikojnë me kujdes përdorimin e rezervave ekzistuese të ujit deri në rikthimin e furnizimit normal, ndërsa për çdo informacion shtesë të përcjellin njoftimet zyrtare të KRU “Mitrovica” Sh.A.







