Hamza pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit: PDK e dyta, besimi i qytetarëve na obligon për riorganizim dhe veprim më të fuqishëm

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka reaguar pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke e cilësuar rezultatin si një përgjegjësi të madhe politike për PDK-në, shkruan Mitropol.
Sipas rezultateve përfundimtare, PDK është renditur e dyta në këto zgjedhje me gjithsej 192,407 vota, apo 20.19 për qind, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 51.11 për qind, përkatësisht rreth 487 mijë vota.
Në një postim publik, Hamza ka theksuar se ruajtja e elektoratit të PDK-së në një garë që ai e quan të vështirë dhe të pabarabartë, dëshmon se mijëra qytetarë vazhdojnë t’i besojnë seriozitetit dhe vlerave që kjo parti përfaqëson.
“Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Hamza, duke shtuar se rezultati zgjedhor e obligon PDK-në që të riorganizohet, të konsolidojë radhët dhe të intensifikojë veprimin politik në periudhën në vijim.
Ai ka nënvizuar se PDK do të vazhdojë të angazhohet për çdo qytetar, pa dallim, në çdo nivel dhe platformë ku është e pranishme, me këmbëngulje dhe bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë konfirmuar një trend të ngjashëm edhe me zgjedhjet e 9 shkurtit të po këtij viti, kur PDK po ashtu ishte renditur e dyta me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar me mbi 390 mijë vota, përkatësisht 42.30 për qind.
Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e shkurtit, VV ka shënuar rritje të ndjeshme në zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa PDK ka ruajtur pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje elektorale.
“Puna jonë vazhdon”, ka përfunduar Hamza mesazhin e tij, duke lënë të kuptohet se Partia Demokratike e Kosovës do të synojë ristrukturim të brendshëm dhe një rol më aktiv opozitar në skenën politike të vendit./Mitropol/








