Jashari pret në takim Bottcher, diskutojnë për situatën aktuale të sigurisë dhe zhvillimin e FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher.
Në fillim të takimit, Gjeneral Jashari e falënderoi Böttcher për kontributin e Republikës Federale të Gjermanisë në mbështetjen e treguar për Republikën e Kosovës, veçanërisht për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga krijimi i saj.
Gjatë bisedës u diskutua për zhvillimet aktuale të FSK-së, prioritetet dhe nevojat e saj, si dhe procesin e planifikimit për të ardhmen. Po ashtu, palët trajtuan situatën aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneritetit për përballimin e sfidave të përbashkëta.
“Të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale ushtarake ndërmjet Republikës së Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.








