Pellini
02LAJME

Policia thotë se gjatë 2025-s pati rënie të krimit në Mitrovicë

 

Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jug ka prezantuar rezultatet e punës për vitin 2025, në një takim ku morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të institucioneve relevante. Drejtoresha e drejtorisë, kolonele Afërdita Mikullovci, tha se pavarësisht sfidave, viti 2025 është përmbyllur me rezultate pozitive falë përkushtimit dhe punës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë.

London

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e përgjithshme e veprave penale për 4.5 për qind, ndërsa shkalla e zbulueshmërisë së rasteve ka arritur në 87.5 për qind. Rënie e ndjeshme është evidentuar në grabitje, vjedhje të rënda, lëndime trupore, tentim-vrasje, dhunë në familje, krime kibernetike dhe aksidente me fatalitet, ndërkohë që konfiskimi i armëve pa leje është rritur për mbi 100 për qind.

Policia ka theksuar se krahas punës operative, gjatë vitit janë zhvilluar edhe aktivitete të shumta parandaluese në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka vlerësuar angazhimin e zyrtarëve policorë, ndërsa në fund janë ndarë mirënjohje për zyrtarë dhe staf civil për kontributin e tyre në rritjen e sigurisë publike.

Koha