Ish-kryetari i Zveçanit: Ndërprerja e kontratave në Komunën e Zveçanit është e paligjshme

Gjatë ditës së sotme “Mitropol” ka raportuar ekskkuzivisht se kryetari serb nga Lista Serbe në komunën e Zveçanit, Dragisa Milovic ka nisur me largimin e personelit shqiptarë nga puna.
Sot i është kryer kontrata e punës dy punonjësve shqiptarë, të punësuar në Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, pasi kishin përfunduar gjashtë muaj angazhim, ashtu si ishte paraparë në kontratën që ata kishin nënshkruar me komunën respektive.
Burime të “Mitropol” brenda Komunës së Zveçanit thonë se zyrtarëve shqiptarë po u bëhet me dije nga ekzekutivi i ri që secilit që i skadon kontrata do largohet nga puna me radhë.
Lidhur me situatën ka reaguar ish-kryetari i Komunës së Zveçanit i cili aktualisht është asambleist aty, Ilir Peci.
Peci ka thënë se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, dhe se arsyetimet e paraqitura nga kryetari aktual janë të pabazuara.
Postimi i plotë:
DEKLARATË ZYRTARE
Si ish-kryetar i Komunës së Zveçanit dhe aktualisht asambleist në këtë komunë, shpreh kundërshtimin tim të plotë ndaj vendimit të kryetarit aktual, z. Dragiša Milović, për moskonfirmimin e kontratave të punës për dy zyrtarë komunalë shqiptarë.
Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është i pabazuar dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas ligjit në fuqi, pas përfundimit të periudhës provuese gjashtëmujore, nëse brenda 24 orëve nga data e përmbushjes së kësaj periudhe nuk merret vendim për ndërprerje, kontrata e punës vazhdohet automatikisht. Në këtë rast, ky afat ligjor është tejkaluar, prandaj vendimi i marrë nuk ka efekt juridik.
Arsyetimet e paraqitura nga kryetari aktual janë të pabazuara. Veçanërisht pretendimi për vlerësim të dobët të punës nuk qëndron, pasi gjatë mandatit tim si kryetar i Komunës së Zveçanit, puna e këtyre dy zyrtarëve është vlerësuar pozitivisht për pesë muaj radhazi, duke përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë profesionale.
Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe një padrejtësi institucionale që dëmton funksionimin e administratës komunale dhe parimin e barazisë. Kërkoj që ky vendim të rishqyrtohet urgjentisht dhe të respektohen ligjet, procedurat dhe të drejtat e zyrtarëve komunalë.
Do të vazhdoj të angazhohem që institucionet komunale të veprojnë në përputhje me ligjin dhe interesin e qytetarëve të Komunës së Zveçanit.








