Aurora Group
KOSOVËLAJME

Ymeri: Rritja e çmimeve në Kosovë po e shtyn emigrimin, jo zhvillimin

 

Një analizë e publikuar nga njohësja e sektorit të energjisë, Janina Ymeri, nxjerr në pah dallime të thella mes trendit të inflacionit në Kosovë dhe atij në Gjermani, duke argumentuar se rritja e vazhdueshme e çmimeve në Kosovë po shtyn qytetarët drejt emigrimit dhe po thellon krizën strukturore ekonomike.

London

Sipas grafikut krahasues të publikuar, inflacioni në Kosovë (i paraqitur me vijë të kaltër) ka shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite, ndërsa në Gjermani (vija gri) vërehet një stabilitet relativ i çmimeve dhe kostos së jetesës. Ymeri thekson se ky krahasim nuk ka për qëllim të tregojë se çmimet po rriten – pasi kjo është tashmë e ditur – por të evidentojë mungesën e stabilitetit ekonomik në Kosovë krahasuar me vendet e zhvilluara.

Sipas saj, pikërisht ky stabilitet i kostos së jetesës në Gjermani po i shtyn kosovarët të largohen nga vendi, jo për luks apo ambicie personale, por për të jetuar jashtë “modalitetit të mbijetesës”.

“Nuk kemi krizë gjithandej njësoj. Në Gjermani shihet qartë një normalitet në çmime dhe shpenzime, gjë që në Kosovë mungon”, thekson Ymeri.

Në analizë përmendet edhe grafiku i dytë i Bankës Botërore, i cili tregon se rritja e çmimeve në Kosovë nuk shoqërohet me rritje të prodhimit industrial në raport me Bruto Produktin Vendor. Kjo, sipas Ymerit, dëshmon se ekonomia po rritet vetëm në aspektin e çmimeve dhe kostove të konsumit, jo në prodhim vendor apo kapacitete industriale.

Një nga pikat më kritike të analizës lidhet me burimin e të hyrave në Kosovë. Sipas saj, Kosova ka “eksportuar” mbi 200 mijë qytetarë, të cilët nga perspektiva ekonomike janë shndërruar në burim të ardhurash përmes remitencave, pa investime shtetërore dhe me përfitim maksimal për buxhetin.

“Rritja ekonomike që raportohet nuk është rritje e standardit të jetesës, por rritje e zhvatjes së parave që vijnë nga mërgata”, thekson ajo, duke shtuar se një pjesë e këtyre mjeteve përfundojnë në klientelizëm politik dhe blerje të besueshmërisë ndaj pushtetit.

Në përfundim, Ymeri paralajmëron për një cikël të rrezikshëm ekonomik: rritja e çmimeve nxit emigrimin, emigrimi rrit remitencat, remitencat përdoren për stabilitet politik afatshkurtër, ndërsa ekonomia reale dhe perspektiva zhvillimore mbesin të bllokuara.

“Rritja e çmimeve e shton emigrimin, ndërsa paratë nga mërgata shndërrohen në mjet heshtjeje dhe dobësimi të popullatës dhe ekonomisë – duke prodhuar sërish ngecje dhe mungesë perspektive”, përfundon ajo.

Pellini