Active 2
OP-ED

“Bota Serbe”, një alarm për kombin shqiptar dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor

Autor: Mr. Sc. Refik Hasani

Projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” është një sinjal dhe alarm destabilizues. Kjo, me arsye të bazuara, do të duhej të na brengoste më së shumti neve shqiptarëve. Njëkohësisht, ky projekt ka ngjallur shqetësim për shkak të përvojave të hidhura nga kujtesa kolektive e shqiptarëve, ku me një sërë platformash dhe memorandumesh, të hartuara ndër dekada nga Kisha Ortodokse dhe Akademia e Shkencave, janë prodhuar politika shoviniste.

Tripika

Projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” është shqetësues për ne shqiptarët, sepse ky projekt po manifestohet përmes tubimeve masive të serbëve nga ish-hapësirat e RSFJ-së. Serbia vazhdimisht po ushqen dhe helmon popullin e vet, duke synuar me plane pushtuese e kolonizuese shtrirjen në territoret shqiptare, përmes fjalimeve luftënxitëse dhe parakalimeve me parada ushtarake. Vërehet se janë shtuar apetitet për dominim, hegjemoni dhe kështu po kërcënohet haptas dhe publikisht edhe kjo pjesë e Ballkanit Perëndimor. Serbia nuk bashkëpunon me fqinjët, nuk po promovon një klimë besimi, respekti dhe mirëkuptimi reciprok dhe nuk ka krijuar aspak një atmosferë të favorshme për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal.

Ne, shqiptarët, më së shumti kërcënohemi nga projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”, i cili po manifestohet gjithnjë e më hapur dhe me ritëm të shpejtë për të vazhduar hegjemoni ndaj fqinjëve. Serbia ka ambicie ekspansioniste dhe shoviniste, të cilat i ushqen më së shumti kundër nesh shqiptarëve, edhe pse deri më sot ka territore shqiptare ku është zgjeruar në dëm të shqiptarëve. Serbia ende gjendet mes miteve dhe realitetit, mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes dy koncepteve dhe dy blloqeve ushtarake.

Serbia nuk po ndalet me politika luftënxitëse, duke vazhduar realizimin e “Serbisë së Madhe”. Ajo mban peng jo vetëm Bosnjë e Hercegovinën, por po pengon rëndë edhe shtetin e Kosovës, si dhe po përpiqet të shtrijë ndikimin e saj edhe në Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”, përmes të cilit synohet realizimi i “Serbisë së Madhe”, na ka dëmtuar më së shumti neve shqiptarëve dhe vazhdon të na rrezikojë. Qëllimi është pengimi i Republikës së Kosovës dhe rikrijimi i një mini-Jugosllavie, e cila në thelb do të ishte një Serbi e Madhe, që synon të përfshijë Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Ne, shqiptarët, do të duhej të brengosemi seriozisht nga projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”, duke pasur parasysh se në vendbanimet e Rajonit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit hasen dukuri të shpeshta të grafiteve antishqiptare, madje edhe nga instanca të larta politike e institucionale. Gjuha dhe retorika provokuese, përfshirë fjalimet plot urrejtje në Parlamentin e Serbisë dhe në mediat me frekuencë nacionale, vazhdimisht përdorin diskurs shekullor kundër shqiptarëve, me gjuhë urrejtjeje, provokimi dhe frikësimi. Janë shfaqur edhe pankarta me mbishkrimin “Vdekje shqiptarëve”.

Ne, nga Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, jemi më së shumti të rrezikuar nga projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”. Përkundër mbajtjes së referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, përkundër kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare përmes Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe përkundër Marrëveshjes së Konçulit nën monitorimin dhe garantimin e faktorit ndërkombëtar, kjo Krahinë vazhdon të diskriminohet. Pasivizimi i adresave përbën një formë të pastrimit etnik dhe vazhdimësi të diskriminimit klasik, ndërsa projekti “Bota Serbe” synon të nxisë shpërnguljen e rinisë nga kjo Krahinë, një ndër më të diskriminuarat në Evropë.

Nga projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe”, përderisa ende nuk është dorëzuar padi në Gjykatën Ndërkombëtare për dëmet e shkaktuara, të llogaritura në miliarda, bilionë e trilionë euro apo dollarë për më shumë se një shekull, Serbia vazhdon të na kërcënojë. Vetëm pas një veprimi të tillë mund të ndryshojë qasja e saj ndaj shqiptarëve.

Projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” është vazhdimësi e elaborateve, planeve, programeve dhe dokumenteve të hartuara për më shumë se një shekull nga Kisha Ortodokse dhe Akademia e Shkencave. Andaj, ne shqiptarët duhet të jemi të shqetësuar, pasi Serbia ende sot nuk ka kërkuar asnjë falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve. Serbia duhet të zgjohet dhe të shprehë së paku një pendesë, ashtu siç Gjermania u përkul para gjenocidit ndaj hebrenjve të kryer nga Adolf Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Projekti i ashtuquajtur “Bota Serbe” ka emër të ri, por mjetet dhe koha e realizimit mund të ndryshojnë. Qëllimi mbetet i njëjtë dhe i vjetër: “Serbia e Madhe”.

 

Weelnes