Pellini
LAJME

Policia gjen sërish armë dhe mjete ilegale në një shtëpi të braktisur në veri të Mitrovicës

Si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka realizuar një aksion ku janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera ilegale në një shtëpi të braktisur në lagjen Bërxhane.

Sipas Policisë së Kosovës, informatat janë pranuar gjatë kontakteve të rregullta me qytetarë, pas së cilave zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në terren.

Aurora Group

Gjatë kontrollit të objektit të braktisur janë gjetur dhe konfiskuar prova të shumta, përfshirë municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë për mbushje të fishekëve, barut, pajisje ushtarake, si dhe mjete të rrezikshme eksploduese.

Në mesin e materialeve të sekuestruara janë:

Karikator për armë të gjatë
Bajonetë
Barut dhe kapsula për fishekë
Minë kundër këmbësorisë me detonator
Fishekë të kalibrave të ndryshëm, përfshirë 12.7 mm dhe 20 mm
Pajisje dhe veshje ushtarake
Targa të automjetit të ish-milicisë
Uniforma dhe këmisha të Policisë së Serbisë

Për shkak të pranisë së materialeve eksploduese, në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese (NJTME), e cila ka tërhequr dhe siguruar materialin e rrezikshëm, përfshirë minën dhe municionin e rëndë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Deri më tani, nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Premium Store