
Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë së Administratës ka bërë të mundur funksionalizimin e shërbimeve të Gjendjes Civile brenda Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.
Me këtë rast, Nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, së bashku me Drejtorin e Administratës, Alban Fejzullahu, sot kanë vizituar këtë zyre për të parë nga afër shërbimet dhe kushtet që operon kjo zyre.
Për disa muaj, ky shërbim kishte qenë i mbyllur, gjë që detyronte nënat lehona të vizitonin komunën për regjistrimin e fëmijëve dhe për kryerjen e procedurave të tjera administrative.
Me rikthimin e funksionimit të shërbimeve në ambientet e spitalit, qytetarët tashmë kanë mundësi më të lehtë dhe më të shpejtë për t’i kryer këto procedura pa udhëtime të panevojshme.








