
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të papërgjegjshme, shkruan Mitropol.
Sipas tij, pretendimet që tentojnë ta paraqesin Forca e Sigurisë së Kosovës si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë janë në kundërshtim me realitetin në terren.
Ai theksoi se FSK-ja është një forcë profesionale, e ndërtuar mbi standarde të larta demokratike, që vepron nën kontroll të plotë civil dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me obligimet ndërkombëtare të vendit.
Sipas tij, mandati i saj është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se fuqizimi dhe modernizimi i ushtrisë është një e drejtë legjitime e çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj,” thuhet në reagim.








