
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Majac të Podujevës përgjatë së dielës.
Burime e gazetës kanë bërë të ditur se i vdekur është një burrë, ndërsa dy gra janë gjetur të plagosura në një shtëpi.
E dyshuar lidhur me rastin është një grua, e cila është izoluar në shtëpi dhe po kërcënon me veprime që rrezikojnë jetën e saj.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se bëhet fjalë për një të vdekur, teksa ka shtuar se në vendngjarje është nisur prokurorja e rastit, Bukurie Gjonbalaj.
Policia ka arritur të vendosë kontakt me vëllain e të dyshuarës. Sipas informacioneve, ai pritet të ndihmojë në identifikimin e viktimës që ka humbur jetën, e cila deri më tani rezulton pa dokumente identifikimi.
Po ashtu, nga dëshmia e tij pritet të sigurohen informata shtesë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Ndërkohë, hetimet janë duke vazhduar intensivisht, ndërsa autoritetet janë duke mbledhur prova dhe dëshmi për të ndriçuar motivin dhe dinamikën e rastit.







