Policia nuk pranoi të raportojë për situatën e sigurisë para kryesuesit serb të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut

Në mbledhjen e katërt të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, e zhvilluar të premten, më 27 mars 2026, një nga çështjet kryesore që nxiti diskutime të shumta ishte mungesa e raportimit nga ana e komandantit të stacionit policor për situatën e sigurisë në këtë komunë, njofton Mitropol.
Sipas përfaqësuesve komunalë, komandanti Rexhep Kastrati ishte ftuar që të raportonte para asamblistëve, por nuk i ishte përgjigjur pozitivisht kësaj ftese. Kryesuesi i Kuvendit, Ivan Zaporozhac, bëri të ditur se nga ana e komandantit kishin pranuar një njoftim përmes postës elektronike, ku theksohej se raportimi para këshilltarëve komunalë nuk konsiderohet si praktikë e zakonshme.
Megjithatë, sipas të njëjtit komunikim, Kastrati kishte shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Komitetin për Siguri në Bashkësi, por jo edhe për raportim të drejtpërdrejtë në Kuvendin Komunal.
“Në përputhje me ligjin, komandanti i Policisë është i obliguar të jetë i pranishëm me ftesë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut”, tha Zaporozhac, duke shtuar se institucioni që ai drejton do ta përsërisë ftesën për komandantin në një seancë të ardhshme.
Mungesa e tij u komentua edhe nga kryetari i komunës, Millan Radojeviq, i cili vlerësoi se në një frymë demokratike do të ishte e udhës që komandanti të ishte i pranishëm dhe të jepte sqarime lidhur me qëndrimin e tij për mosraportim.
“Ne si përfaqësues të zgjedhur të kësaj komune dhe ju si këshilltarë, mendoj se keni të drejtë absolute të përcjellni shqetësimet e qytetarëve, por nga ana tjetër të dini edhe masat që ndërmerr policia në komunën dhe qytetin tonë. Fatkeqësisht, sot do të mbetemi të privuar nga kjo. Qytetarët do të mbeten pa përgjigje për shumë pyetje që i shqetësojnë”, theksoi Radojeviq.
Në anën tjetër, asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi, solli një këndvështrim tjetër, duke theksuar se sipas tij, Policia e Kosovës nuk ka detyrim ligjor për të raportuar para Kuvendit Komunal.
“Më tregoni, cili nen, cili ligj, e detyron komandatin e Policisë me ardhë me raportu para organit politik siç është kuvendi. Ai ka hierarki, i raporton komandantit të tij, por jo organit tonë”, deklaroi Azemi.
Ndërkohë, Marko Jakshiq nga Iniciativa Qytetare “Veriu për të Gjithë” rikujtoi se në të kaluarën komandantë të tjerë të stacionit policor kishin marrë pjesë në mbledhje të ngjashme, duke ngritur kështu pikëpyetje mbi qasjen aktuale.
Ai nuk kurseu as kritikat ndaj institucioneve të rendit, duke thënë: “Sa i përket mosardhjes së komandantit, mund të them atë që e them edhe publikisht: ne po jetojmë në një lloj shteti policor, një administrim ku policia jo gjithmonë ka zbatuar vendimet në terren”.
Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga Azemi, i cili iu kundërpërgjigj me tone të ashpra: “Ti as nuk e di çka është shteti policor, as nuk ke jetuar në shtet policor, as nuk e ke përjetuar shtetin policor”.
Në përmbyllje të debatit, Azemi u bëri thirrje asamblistëve që çdo pakënaqësi eventuale ndaj punës së policisë ta adresojnë në institucionet përkatëse, konkretisht në Inspektoratin Policor të Kosovës./Mitropol/








