Premium Store
02LAJME

Postimi skandaloz i Faton Pecit rikthen tensione historike në ditë sportive

Në një ditë kur vëmendja e opinionit publik në Kosovë është përqendruar te përballja sportive mes Kosovës dhe Turqisë në stadiuminFadil Vokrri, një deklaratë e kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, ka nxitur reagime dhe debat publik, shkruan Mitripol.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peci ka rikthyer në vëmendje ngjarje historike të vitit 1903, duke theksuar rezistencën e shqiptarëve ndaj Perandorisë Osmane dhe ndikimit rus në rajon. Në qendër të rrëfimit të tij qëndron figura e Isa Boletini, si dhe ngjarjet e përgjakshme në Mitrovicë, ku përmendet edhe vrasja e konsullit rus nga një ushtar shqiptar.

London

Në postim, Peci përdor një gjuhë të fortë simbolike dhe historike, duke e përshkruar atë periudhë si moment të rezistencës kundër “konformizmit të Stambollit dhe planeve të Rusisë”. Ai gjithashtu njofton nisjen e procedurave për vendosjen e një pllake përkujtimore në zonën e Urës së Sitnicës, në nderim të të rënëve të asaj kohe.

Megjithatë, koha e publikimit të këtij mesazhi ka ngritur pikëpyetje dhe kritika, duke qenë se përkon me ditën e zhvillimit të një ndeshjeje jetike mes Kosovës dhe Turqisë, një shtet me të cilin Kosova ka marrëdhënie të rëndësishme diplomatike dhe bashkëpunim të vazhdueshëm institucional.

Kujtojmë se Turqia ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes dhe se Kombëtarja Turke ishte ndër të paktat Kombëtare që pranuan të luanin me ekipin e Kosovës në vitin 2014 kur u formua ekipi, dy vjet para anëtarësimit të Kosovës në FIFA. Mes tjerash, Turqia ishte ndër shtetet që bombardoi Serbinë në kuadër të angazhimit të vet në NATO gjatë luftës në Kosove, e edhe sot, misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, aktualisht udhëhiqet nga një komandant turk.

Ky realitet e vendos deklaratën e Pecit në një kontekst më të ndjeshëm diplomatik, duke rritur potencialin për interpretime politike dhe ndërkombëtare.

Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet qendrore apo nga pala turke lidhur me këtë deklaratë.

Në një klimë ku sporti shpesh shërben si urë lidhëse mes kombeve, mbetet për t’u parë nëse kjo deklaratë do të ndikojë në perceptimin publik apo në raportet diplomatike mes dy vendeve./Mitropol/

Postimi i Pecit:

Kur Mitrovica i tha JO konformizmit të Stambollit dhe planeve të Rusisë

Ishte 31 Mars 1903.

Duke parë rrezikun që po i kanosej ekzistencës së shqiptarëve, Isa Boletini intensifikoi veprimtarinë e tij, duke kundërshtuar Stambollin, i cili nuk tregonte gatishmëri për të mbrojtur kufijtë. Trimat e Isës, detyruan bandat serbe të cilën kishin qenë të armatosura nga konzulli rus i Shkupit, që të dorëzonin armët dhe t’i shkarkonin ato para komunës në Mitrovicë.

Isa Boletini kishte lidhur besën me popullin se nuk do të lejohej vendosja e konsullit Grigori Shçerbin. Por autoritetet osmane lejuan ardhjen e konsullit Shçerbin në Mitrovicë.

Trimat e Shalës dhe jo vetëm ata, u mblodhën në Shupkovc pranë Urës së Sitnicës. Ushtria osmane filloi bombardimin. Skenat ishin tronditëse dhe jashtëzakonisht të përgjakshme. Luftimet zgjatën për tri ditë rresht.

Më 31 mars 1903, në kulmin e përgjakjes, një ushtar shqiptar në radhët e ushtrisë osmane, Ibrahim Halit Popovci nga Llashtica e Gjilanit, duke parë masakrën, veproi kundër urdhrave. Ai qëlloi dhe plagosi rënd konsullin rus, i cili më vonë ndërroi jetë. Trimi Ibrahim Halit Popovci u arrestua dhe, pas torturave të rënda, vdiq në burgun e Shkupit.

Në librin kujtimet e Tafil Boletinit thuhet:

“Në këtë lufte janë vra ma se 300 djem të zgjedhun të Shales.
Prej udhëheqësve që i prinin popullit u vranë Shaban Gavazi i Bajgores,
Bejt Selaci, kushërini i jonë Hajdar Xhema, djalë 22 vjeç vet i peste,
Zenel Fetahi, Man Zeqiri, Ram Smaka e Sajdi Ibrahimi, këta dy te fundit nga lagjja Zhazha”.

Si Kryetar i Mitrovicës kurrë nuk do të lejoj që gjaku i dëshmorëve të Shalës dhe trevave tjera të përpihet nga kujtesa historike. Gjakun e dëshmorit as dielli s’e thanë! Mitrovica nuk harron!

Sot në këtë përvjetorë do të filloj procedurën që në brigjet e Urës së Sitnicës të vendoset pllaka përkujtimore për njërën nga betejat më të përgjakshme të historisë së popullit shqiptar.

Përjetësisht në nderim të trimave! LAVDI!

 

Pellini