Provat “shkatërruese” të Prokurorisë për spiunen serbe: Zbulohen detyrat e agjentit të BIA-s për Jelenën në Kosovë

Prokuroria Speciale ka paraqitur prova të reja në procesin gjyqësor ndaj Jelena Gjukanoviq, duke hedhur dritë mbi komunikimet dhe detyrat që, sipas pretendimeve, i janë dhënë nga agjentë të shërbimit inteligjent serb (BIA).
Gjatë seancës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë prezantuar materiale nga ekzaminimi i pajisjeve elektronike të sekuestruara, përfshirë një telefon Samsung Galaxy S8, ku pretendohet se janë zbuluar komunikime të detajuara mes të akuzuarës dhe kontakteve të saj në Serbi.
Sipas dokumenteve të paraqitura, në mesin e provave përfshihen mesazhe dhe përkthime të komunikimeve që lidhen me: Mbledhjen e informacioneve për zyrtarë dhe struktura institucionale në Kosovë, raportime për zhvillimet në komunat veriore, përfshirë Mitrovicën dhe Zveçanin, evidentimine kontakteve dhe numrave të telefonit të personave të caktuar, percjelljen e të dhënave që lidhen me institucione dhe organizime të ndryshme.
Ne dokumentacion përmenden edhe udhëzime konkrete që, sipas prokurorisë, i janë dhënë përmes ndërmjetësve, duke sugjeruar një rrjet të strukturuar komunikimi dhe koordinimi.
Provat përfshijnë gjithashtu analiza të detajuara të bisedave, përkthime të tyre, si dhe të dhëna mbi kohën dhe mënyrën e komunikimit, të cilat pretendohet se dëshmojnë për një aktivitet të vazhdueshëm informativ.
Prokuroria thekson se këto materiale përforcojnë dyshimet se e akuzuara ka vepruar në funksion të inteligjencës serbe, duke shfrytëzuar qasjen e saj në informacione të ndjeshme.







