
Dosja ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq, po pasurohet me prova të reja, përfshirë telefona të sekuestruar, raporte të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe hetime të thelluara institucionale.
Në seancën e fundit gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori special Bekim Kodraliu ka paraqitur prova që më herët i janë dorëzuar edhe mbrojtjes.
Sipas prokurorisë, në mesin e materialeve të administruara përfshihen dokumente të siguruara nga OSBE, si dhe konfirmime të AKI-së të datave 28 janar 2025 dhe 7 gusht 2025, të cilat pretendojnë lidhje të personave të përmendur me struktura të inteligjencës serbe.

Provat përfshijnë gjithashtu aktgjykime dhe procesverbale nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporte të Policisë së Kosovës, konkretisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DKI), si dhe analiza të pajisjeve elektronike të sekuestruara.
Sipas prokurorisë, janë ekzaminuar telefona celularë, përfshirë modele Samsung Galaxy S8, Samsung S22 dhe Huawei P30 Pro, nga të cilët janë nxjerrë të dhëna që konsiderohen relevante për rastin.
Në dokumentacion përfshihen edhe të dhëna mbi lëvizjet e personave të caktuar, si dhe materiale të tjera hetimore, përfshirë fotodokumentacion.
Prokuroria pretendon se e akuzuara, gjatë angazhimit të saj në OSBE, ka pasur qasje në informacione të ndjeshme dhe ka marrë pjesë ose ka pasur mundësi të marrë pjesë në takime të nivelit të lartë me përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas këtyre pretendimeve, në materialet e administruara përfshihen edhe analiza të brendshme të sigurisë, veçanërisht për veriun e Kosovës, raportime mbi aktivitetet e Policisë së Kosovës, si dhe përmbajtje nga takime të rëndësishme institucionale.
Rasti ndaj Jelena Gjukanoviq po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet pas përfundimit të procesit gjyqësor./Indeksonline/







